Last Updated on 25/06/2026 by EL
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, siç mëson Report TV, ka kërkuar shkarkimin e anëtarit të KLP-së Olger Eminaj, të përfshirë në një skandal seksual. Çështja tani i ka kaluar Gjykatës Kushtetuese. Ndaj Eminajt, nisi një hetim nën dyshimet për shkelje disiplinore, menjëherë pas publikimit të komunikimeve me natyrë erotike me një qytetare, gjatë orarit të punës.
Ndërsa kërkonte Drejtësi në dyert e institucioneve, një qytetare me inicialet R.M. ra në kontakt në rrjetet sociale me Olger Eminajn, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Komunikimi, i cili kaloi më pas në WhatsApp, mori më tej natyrë thellësisht erotike.
Sipas materialeve të siguruara nga “Shoqata Media dhe Drejtësi” e të denoncuara në emisionin “STOP”, anëtari i KLP-së Eminaj i ka dërguar foto të organit gjenital dhe ka zhvilluar biseda me përmbajtje seksuale, madje edhe gjatë orarit zyrtar dhe brenda ambienteve të institucionit, ku ushtron detyrën.
Rasti u denoncua më 23 mars të këtij viti, dhe të nesërmen Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur me iniciativë, një hetim disiplinor ndaj Eminajt, lidhur me dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore.
Në një përgjigje për Report TV, ILD shpjegon se “Pas përfundimit të veprimeve hetimore, raporti hetimor i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë i është përcjellë më datë 1 Qershor, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, organi kompetent, me fuqinë e Gjykatës Kushtetuese, për shqyrtimin dhe vendimmarrjen lidhur me kërkesën disiplinore të paraqitur”.
Kolegji ka pushuar së funksionuar që prej 18 qershorit. Rasti i është përcjellë Gjykatës Kushtetuese e cila do të kryejë funksionet e saj, dhe ka caktuar tanimë dhe relatoren e çështjes, anëtaren Marjana Semini.
Në përgjigjen zyrtare, ILD nuk dha shpjegime se çfarë mase ka kërkuar. Por Report TV ka mësuar, përmes burimeve të tjera, se bëhet fjalë për shkarkimin e anëtarit të KLP-së, sjellja e të cilit mesa duket është konsideruar një shkelje e rëndë./et
