Last Updated on 22/08/2026 by Anisa
Detaje të reja kanë dalë në dritë për vrasjen e turistit 20-vjeçar portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, ngjarje e rëndë e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 18 gushtit në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e “Paradise”.
Tourpal Khitaev, shtetas francez ka deklaruar se kanë qenë tek klub “Principote” duke festuar. Pasi kanë mbaruar kanë dalë nga klubi dhe kanë zbritur shkallet duke qëndruar tek shezlongët e plazhit.
Në këtë moment ka qenë me shokun e tij Ibrahim dhe po bisedonin. Shokët e tjerë qenë më larg. Aty pranë kanë qenë 3 persona me ngjyrë të cilët i thonë, që zihuni si burra, por ai i ka thënë që nuk po ziheshin dhe të shikonin punën e tyre, pasi ata po bënin shaka.
Aty pranë ka qenë dhe një djalë tjetër, i cili ishte i dehur dhe po bërtiste. Në këtë moment dalin dy veta, të cilët ishin punonjës të lokalit dhe i thonë “mos bërtisni se punojmë këtu!”.
Khitaev ka rrëfyer se njëri prej tyre e ka tërhequr nga krahu. Personi mbante veshur rroba të bardha të shkurtra me pak mjekër flokë gështenjë.
Kishte thikën në dorë dhe e ka goditur në këmbë. Më pas, ka deklaruar, i bërtiti të gjithëve dhe iu ka thënë që mos bërtisni.
“Unë i them që nuk jam unë personi që bërtisja dhe ishin të tjerë, por ky person më ofendoi nga nëna. Unë i them që pse e zë nënën time në gojë, unë nuk zura në gojë nënën tënde. Në këtë moment ai më kapi për fyti dhe më goditi me kokë në fytyrë dhe unë ju përgjigja duke e goditur. Unë pas kam rënë në shezlong dhe ai po vazhdonte të më godiste. Aty erdhën dhe disa persona të tjerë dhe po na godisnin dhe shokët e mi u futën në konflikt. Luisi Migueli u fut për të ndaluar ata që më godisnin dhe më pas unë kam parë atë që shoku im që u vra, i cili po konfliktohej me dy tre persona me bluza të zeza ndërsa personi me bluzë të bardhë, i cili mbante thikën në dorë po na kërcënonte.
Njëri prej tyre me ka kapur dhe më ka larguar nëpër shezlonge. Kur jam kthyer kam personin, i cili ishte me të bardha që hoqi këmishën ku në të dallohej që ishte me gjak dhe po largohej drejtim rrugës. Unë nuk e kam parë momentin kur e ka goditur me thikë shokun tim Louis Miguel,” ka deklaruar Khitaev.
Pyetjes se a njihte personin, i cili mbante thikën në dorë dhe që e kishte goditur në këmbë ai është përgjigjur që po dhe pas paraqitjes së fotos së shtetasit Sokrat Vata ai ka deklaruar që ai është personi i cili mbante thikën në dorë dhe që e ka goditur dhe atë.
Si u kap i dyshuari kryesor
Pas vrasjes, Sokrat Vata u kap në Levan të Fierit, teksa ishte fshehur në bagazhin e një automjeti. Në automjet ndodheshin shtetasit turq Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, dhe Ezgi Perlak, 31 vjeçe.
Sipas hetimeve, dy shtetasit turq kishin njohje me Vatën dhe dyshohet se po e ndihmonin të largohej drejt Tiranës. Ata janë arrestuar dhe përballen me akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”.
Në momentin e konfliktit, në “Principote” ndodheshin edhe katër persona që punonin në siguri: Miosid Matushaj, Luciano Seferi, Romeo Shehu dhe Kristi Koshi./ad
