Një sondazh i ri europian tregon se pothuajse gjysma e qytetarëve të kontinentit e shohin Donald Trump-in si një “armik të Evropës”, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz konsiderojnë të lartë rrezikun e një lufte të hapur me Rusinë. Studimi, i realizuar në nëntë vende europiane për platformën franceze Le Grand Continent, zbulon gjithashtu se mbi dy të tretat e europianëve besojnë se vendi i tyre nuk do të ishte në gjendje të mbrohej në rast të një konflikti të tillë.
Sipas Jean-Yves Dormagen, profesor i shkencave politike dhe themelues i agjencisë së sondazheve Cluster17, Evropa po përjeton “një transformim të thellë të realitetit historik, gjeopolitik dhe politik”. Ai shtoi se sondazhi paraqet një kontinent “të shqetësuar, të vetëdijshëm për dobësitë e tij dhe të pasigurt për të ardhmen”.
Në mesatare, 48% e të anketuarve e përshkruajnë Trump-in si armik, me përqindjet më të larta në Belgjikë (62%) dhe Francë (57%), dhe më të ulëtat në Kroaci (37%) dhe Poloni (19%). Ndërkohë, perceptimi për “Trumpizmin” si forcë armiqësore vazhdon të forcohet. Megjithatë, europianët ende e shohin marrëdhënien me SHBA-të si strategjike, me opsionin “kompromis” që rezulton më i preferuari për qëndrimin e BE-së ndaj Uashingtonit.
Sondazhi tregoi se 51% e të anketuarve e vlerësojnë si të lartë rrezikun e një lufte të hapur me Rusinë në vitet në vijim. Ndjenjat ndryshojnë sipas afërsisë gjeografike: 77% e polakëve besojnë se rreziku është i madh, krahasuar me 54% të francezëve dhe 34% të italianëve.
Vetëbesimi për aftësinë e mbrojtjes kombëtare rezultoi i ulët: 69% e europianëve mendojnë se vendi i tyre nuk është në gjendje të përballojë agresion të mundshëm rus. Edhe në Francë, ku niveli i besimit ishte më i larti, vetëm 44% besojnë në kapacitetet mbrojtëse të shtetit.
Ankthi i pasigurisë është i përhapur: vetëm 12% e europianëve thanë se nuk ndihen të kërcënuar nga rreziqe teknologjike, ushtarake, energjetike apo ushqimore. Siguria dixhitale u rendit si shqetësimi kryesor (28%), e ndjekur nga siguria ushtarake (25%). Përballë këtyre sfidave, 69% e të anketuarve kërkojnë më shumë rol mbrojtës nga Bashkimi Europian.
Mbështetja për anëtarësinë në BE mbetet shumë e lartë 74% e europianëve duan që vendi i tyre të mbetet pjesë e unionit. Në Portugali kjo shifër arrin 90%, ndërsa më e ulëta regjistrohet në Francë me 61%. Ndërkohë, pesë vjet pas Brexit, shumica dërrmuese (63%) e qytetarëve europianë e shohin largimin e Britanisë nga BE-ja si të dëmshëm për Mbretërinë e Bashkuar, me vetëm 19% që e konsiderojnë atë një hap pozitiv./mxh
