Last Updated on 15/10/2026 by Anisa
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë sekuestruar këtë të enjte aparatin celular të shtetasit Ermal Gjinaj. Ai është bashkëshorti i politikanes së lartë socialiste dhe dikur ish-ministre, Ogerta Manastriliu.
Deri tani, nuk ka një njoftim zyrtar nga organi më i lartë i akuzës në vend për masën ndaj shtetasit Ermal Gjinaj, por mësohet se urdhri është firmosur nga prokurorja Dorina Bejko dhe është miratuar nga Gjykata e Posaçme.
Paraprakisht, ka raportime se hetimi lidhet me një çështje penale të regjistruar nga prokurorja Dorina Bejko, e cila po verifikon një kontratë biznesi mes Ermal Gjinaj dhe kompanisë që mori të drejtën koncesionare të sterilizimit.
Dy vite më parë, Ogerta Manastirliu u paraqit në Prokurorinë e Posaçme në cilësinë e personit që ka dijeni mbi çështjen e sterilizimit, në kohën kur ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Ajo tregoi në SPAK se kur ishte drejtoreshë e QSUT në vitin 2014, kishte bërë përpjekje për të vënë në punë impiantin ekzistues në Repartin e Sterilizimit, pasi ishte nën presionin e mjekëve, që kërkonin sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
Në përpjekje për të vënë në punë laboratorët ekzistues që kishin kapacitete dyfish për nevojat e QSUT, Ogerta Manastirliu bëri bashkë një grup ekspertësh që hartuan një plan-biznesi dhe ia dërguan Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohej nga Ilir Beqaj, duke i kërkuar fondet.
Por siç dëshmoi Manastirliu në SPAK, eprori i saj Ilir Beqaj në fillim heshti, pastaj i doli kundër, dhe kur ajo këmbënguli, e kërcënoi me shkarkim. Duke menduar se Ilir Beqaj po e sulmonte personalisht i shkruajti direkt kryeministrit Edi Rama me të cilin ka pasur njohje të hershme, që nga koha kur ishte pjesë e stafit të tij të ngushtë në Bashkinë e Tiranës.
“Këmbëngula disa herë deri në qershor 2014, kur Ilir Beqja më kërcënoi me shkarkim nga detyra si drejtore e QSUT nëse do vazhdoja me atë kërkesë; gjë për të cilën vura në dijeni privatisht kryeministrin Edi Rama, por ai më tha: – Mos u merr më atë çështje, se kemi projekt tjetër.
Pas 7 muajsh, më 16 shkurt 2015, ministri Ilir Beqja shpalli njoftimin për dhënien me koncesion të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale për 10 vite, ndërsa më 5 tetor 2015 u publikua fituesi “Sani Servize Italia” e më 10 dhjetor 2015 u nënshkrua kontrata”, ka treguar në SPAK ish-ministrja./ad
