Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka premtuar një hetim të plotë dhe plotësisht transparent për aksidentin tragjik të trenit me shpejtësi të lartë në jug të vendit, ku humbën jetën të paktën 39 persona dhe mbi 120 të tjerë u plagosën.
Sanchez vizitoi zonën e aksidentit pranë Adamuz, në provincën e Kordobës, pasi anuloi pjesëmarrjen e planifikuar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë ende, ndërsa vagonë të dëmtuar rëndë janë shpërndarë përgjatë shinave. Sipas autoriteteve, 12 të plagosur ndodhen në gjendje kritike në kujdes intensiv.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në mbrëmje, kur një tren doli nga shinat dhe u përplas pak çaste më vonë me një tjetër tren që po vinte nga drejtimi i kundërt, në një nga aksidentet më të rënda hekurudhore në Europë në dekadat e fundit.
“Do të shkojmë deri në fund për të zbuluar të vërtetën, do të gjejmë përgjigjen dhe, kur ajo të dihet, me transparencë dhe qartësi të plotë, do ta bëjmë publike,” deklaroi Sanchez.
Kreu i qeverisë spanjolle e cilësoi këtë një ditë zie për të gjithë vendin, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.
“Sot është një ditë zie për të gjithë Spanjën. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre, të cilave u shprehim kujtimin, solidaritetin dhe mbështetjen tonë.”
Sanchez njoftoi gjithashtu shpalljen e tre ditëve zie kombëtare, që do të nisin nga mesnata dhe do të zgjasin deri të enjten në mesnatë, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie./mxh
