Spanja pritet të reformojë ligjet për emigracionin dhe azilin, me qëllim përafrimin e tyre me rregullat e Bashkimit Evropian, ndërsa kriza e emigrantëve në enklavën e Ceutës mbetet ende e pazgjidhur.
Qeveria spanjolle pritet të paraqesë një projektligj për reformimin e legjislacionit, pas krizës së korrikut, kur rreth 80 mijë persona kaluan ilegalisht nga Maroku drejt qytetit spanjoll të Ceutës brenda një dite.
Edhe pse shumica e tyre janë kthyer në Marok, rreth 5 mijë emigrantë vijojnë të ndodhen në Ceuta, mes tyre rreth 2 mijë të mitur. Çështja e të miturve të pashoqëruar është veçanërisht e ndjeshme dhe ka krijuar përplasje mes qeverisë në Madrid, opozitës konservatore dhe autoriteteve rajonale të Ceutës.
Projektligji i miratuar të martën synon të përshtatë legjislacionin spanjoll me Paktin Evropian për Migracionin dhe Azilin, i cili hyri në fuqi më 12 qershor. Ai parashikon gjithashtu zbatimin e procedurës së re të BE-së për kontrollin fillestar të migrantëve dhe do të ketë ndikim edhe në Ishujt Kanarie, ku është shënuar rritje e mbërritjeve të parregullta me anije.
Ndërkohë, qeveria spanjolle e ka shpallur krizën në Ceuta një çështje me “interes për sigurinë kombëtare” dhe ka kërkuar krijimin e një komande të vetme për menaxhimin e situatës.
Megjithatë, Madridi ende nuk ka dhënë një shpjegim të plotë për atë që shkaktoi fluksin masiv të emigrantëve. Autoritetet kanë përmendur trafikantët e qenieve njerëzore dhe një fushatë në rrjetet sociale, e cila dyshohet se krijoi bindjen se hyrja në Ceuta do t’u siguronte automatikisht emigrantëve të drejtën për të kërkuar azil.
Nga ana tjetër, Maroku ka deklaruar se politika e Spanjës për rregullimin masiv të statusit të emigrantëve në fillim të këtij viti ka dërguar “sinjale kontradiktore”./mxh
