Presidenti amerikan Donald Trump ka rinovuar kritikat ndaj Iranit për ekzekutimin e protestuesve, duke deklaruar se regjimi në Teheran nuk është më në gjendje të financojë pjesë të mëdha të forcave të tij ushtarake dhe po përballet me një krizë humanitare “të përmasave epike”.
“Irani i dështuar nuk po paguan pjesë të mëdha të ushtrisë së tij, ndërkohë që vazhdon të vrasë protestues, edhe kur ata nuk po protestojnë, në nivele që nuk janë parë më parë”, shkroi Trump të martën në platformën Truth Social.
Ai shtoi se situata në Iran përbën “një krizë humanitare të përmasave epike” dhe se ajo “duhet të ndalet tani”.
Shqetësimi ndërkombëtar për përdorimin e dënimit me vdekje ndaj protestuesve është rritur ndjeshëm. Më 12 gusht, 32 shtete, mes tyre Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, dënuan përdorimin e ekzekutimeve nga Republika Islamike për të “heshtur kundërshtarët” dhe kërkuan ndalimin e menjëhershëm të tyre.
Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, që prej 19 marsit 2026 janë ekzekutuar të paktën 56 persona për akuza që lidhen me sigurinë kombëtare, ndërsa mbi 100 të tjerë rrezikojnë dënimin me vdekje.
Qendra Abdorrahman Boroumand ka regjistruar të paktën 901 ekzekutime në Iran gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026. Ndërkohë, protestat e janarit, të nxitura nga kolapsi i rialit iranian, u përhapën në mbi 180 qytete dhe u shtypën me dhunë nga forcat e sigurisë.
Sipas të dhënave të organizatave për të drejtat e njeriut, viti 2025 shënoi të paktën 1,639 ekzekutime në Iran, shifra më e lartë vjetore që nga viti 1989./mxh
