Last Updated on 16/07/2026 by EL
Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale serbe, Snezhana Paunoviç i kërkoi falje presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit, pasi deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” shkaktoi reagime të forta.
Paunoviç, në një intervistë në televizionin ‘Informer’ tha se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe kërkoi falje për fjalët e thëna pak ditë më parë, por jo ndaj Kosovës por ndaj qeverisë së Serbisë dhe presidentit Vuçiç.
“I kërkoj falje presidentit Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Macut, për faktin se ata janë akuzuar pa asnjë faj. Çfarë kam thënë ishte historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit dhe as e qeverisë”, deklaroi Paunoviç.
Paunoviç e quajti paradoks edhe vendimin e Kosovës për ta shpallur “non grata”, duke thënë se ndalimi i përhershëm i hyrjes atje është vendosur shumë më herët, pasi prej 4 vitesh nuk ka mundur të shkojë në Kosovë.
“Kjo është vetëm propaganda e Kurtit para raundit të ri të zgjedhjeve. Dhe të mos harrojmë kënaqësinë e strukturave të caktuara në Serbi, të cilat, me të gjitha tjerrjet e mundshme, përpiqen të shërojnë frustrimet e tyre në rrjetet sociale”, vijoi ajo.
Ministrja serbe pretendon se e kishte fjalën për largimin e atyre që “nuk ndiheshin pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.
Megjithatë fjalët e Paunoviç kanë trazuar jo vetëm Kosovën dhe Shqipërinë por edhe politikën e brendshme serbe. 53 deputetë të opozitës parlamentare atje kanë dorëzuar një kërkesë kryeministrit Gjuro Macut që ta shkarkojë Paunoviç.
Lajmin e njoftoi deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili në një status në Facebook, tha se grupi parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, inicioi shkarkimin e ministres serbe për Administratë Publike.
“Nëse Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë”, tha ai.
Në mbrojtje të Paunoviç dy ditë më parë doli ministri i brendshëm serb Ivica Daçiç, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj shqiptarëve. Kreu i Partisë Socialiste serbe të Paunoviç tha se të gjithë kritikuesve të saj duhet tu vijë turp pasi spastrimi etnik sipas tij është përjetuar edhe nga serbët pas viteve ‘90.
Kosova e shpalli non grata të mërkurën Snezhana Punoviç ndërsa këtë të enjte, qeveria njoftoi se Ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla, dorëzoi në prokurori kallëzim penal për të, për veprën penale të nxitjes së përçarjes.
Eurokomisionerja për zgjerimin Marta Kos reagoi për të dytën herë këtë javë për rastin. Ajo u bëri thirrje politikanëve të kenë kujdes me deklaratat. Këtë enjte nga Komiteti I Posaçëm për mburojën e demokracisë evropiane të PE Kos tha se nuk mund ta imagjinojë që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj.
“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi komisionerja Kos.
Aleksandër Vuçiç pas fjalëve të Paunovic tha në një reagim se qëndrimi i Ministres nuk është i lidhur me vullnetin e qeverisë dhe partisë së tij.
Paunoviç para pak ditësh në “Kurir TV”, deklaroi se po të ishte në vend të ish-presidentit Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
/et
