Last Updated on 16/07/2026 by EL
Një shpërthim i pazakontë i ciklosporiazës po shqetëson autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara. Gati 7 mijë persona dyshohet se janë prekur nga infeksioni intestinal i shkaktuar nga paraziti Cyclospora cayetanensis, ndërsa hetimet janë përqendruar te sallatat e paketuara dhe perimet e freskëta me gjethe, që dyshohet se mund të jenë burimi i kontaminimit.
Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), deri më tani janë konfirmuar 1.645 raste në 34 shtete, ndërsa mbi 5.100 raste të tjera janë ende në verifikim. Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu më shumë se 400 raste në të paktën katër shtete që duket se lidhen me të njëjtin burim infeksioni.
Paraziti përhapet përmes ujit ose ushqimeve të kontaminuara me feçe njerëzore. Perimet e freskëta mund të ndoten gjatë ujitjes, larjes ose përpunimit nëse nuk respektohen standardet higjieno-sanitare. Megjithëse dyshimet janë përqendruar te sallata dhe perimet me gjethe, autoritetet nuk kanë identifikuar ende produktin përgjegjës dhe nuk kanë urdhëruar tërheqjen e asnjë produkti nga tregu.
Shenjat më të zakonshme të sëmundjes janë diarre e fortë dhe e zgjatur, dhimbje barku, nauze, fryrje, humbje oreksi dhe lodhje. Periudha e inkubacionit mund të zgjasë deri në dy javë, çka e bën të vështirë identifikimin e ushqimit që ka shkaktuar infeksionin. Nëse nuk trajtohet me antibiotikë, sëmundja mund të zgjasë për javë të tëra dhe të shkaktojë dehidrim, veçanërisht gjatë temperaturave të larta.
Shteti i Michiganit është më i godituri, me 3.762 raste dhe 44 persona të shtruar në spital. Për krahasim, zakonisht ky shtet regjistron rreth 50 raste të ciklosporiazës gjatë një viti të tërë.
Ekspertët këshillojnë që personat më të rrezikuar, si të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët dhe ata me sistem imunitar të dobësuar, të shmangin konsumimin e sallatave të paketuara dhe të zgjedhin perime të plota ose të gatuara. Sipas tyre, larja e perimeve nuk garanton eliminimin e parazitit, ndërsa gatimi mbetet mënyra më e sigurt për ta shkatërruar atë.
Shpërthimi i këtij infeksioni konsiderohet ndër më të mëdhenjtë e viteve të fundit në SHBA dhe autoritetet shëndetësore vijojnë hetimet për të identifikuar burimin e kontaminimit./et
