Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka dalë në një përballje të drejtpërdrejtë publike me deputeten socialiste Elisa Spiropali, duke hedhur poshtë pretendimet e saj për kontrollet tatimore ndaj bizneseve të lidhura me bashkëshortin e saj. I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Binaj deklaroi se kontrollet nuk janë motivuar politikisht, por janë kryer mbi bazën e analizës së riskut, ndërsa zbuloi se gjatë procesit inspektorët tatimorë janë përballur edhe me kërcënime.
Në qendër të deklaratave të tij ishte aktiviteti i bashkëshortit të Spiropalit në sektorin e ndërtimit. Sipas Binajt, Administrata Tatimore kishte përzgjedhur për kontroll rreth 100 biznese të këtij sektori, mes të cilave edhe subjekte të lidhura me bashkëshortin e deputetes. Ai pretendoi se nga kontrollet janë konstatuar shifra të konsiderueshme të evazionit fiskal, pa bërë publike vlerën konkrete.
Binaj sqaroi se procesi i kontrollit kishte nisur në muajin prill dhe kishte përfunduar në shtator, duke theksuar se procedurat ishin shoqëruar me vështirësi në komunikimin me tatimpaguesin.
“Në rastin e një biznesi që ka vendosur të mos paguajë taksa do donte një zgjidhje me sa më pak kosto me tatimorët. Nëse të gjithë inspektorët do gjenin zgjidhje të thjeshta, nuk do ishim në gjendje të rrisnim të ardhurat. Kërcënimet ndodhin, në rastin e deklaratës. U kërcënuan disa inspektorë. Në lidhje me atë intervistë, problemi që pata, e para, pjesa që kishte të bënte me mënyrën e emërimit tim. E dyta, ishte karakterizimi i gjithë aksioneve për kontroll sikur janë kontrolle selektive, dhe iu vunë në kuptimin politik të gjësë. Ne si administratë tatimore kontrollojmë shumë biznese, ne selektojmë biznese për t’i kontrolluar. Filloi përzgjedhja e subjekteve, nuk kemi database për të kuptuar se kush janë pas këtyre subjekteve. Ajo që unë them është kjo që pretendimet e bizneseve kur ushtrohen kontroll, edhe qasja jonë është më e thelluar dhe e kujdesshme, përzgjedhja është bazuar në kriteret e riskut.
Nuk ka mënyrë që ne zgjedhim biznese specifike. Për sektorin e ndërtimit, u përzgjodhën 100 biznese. Bizneset janë kryesisht në ndërtim. Ishin biznese të lidhura vetëm me bashkëshortin. Evazioni i konstatuar në këto subjekte, ishte goxha i lartë. Shifrën nuk e them dot, ishin goxha të larta. Kontrolli filloi në muajin prill të këtij viti, këto marrin kohën e vet. Aktet e kontrollit kanë mbaruar në muajin shtator. Kontrolli ka pasur edhe vështirësi. Është ushtruar kontroll, i është dërguar njoftim subjektit. Subjekti është përgatitur për kontroll. Ka pasur vështirësi në komunikim, nuk ka qenë e thjeshtë marrëdhënia me tatimpaguesin”, theksoi ai.
Por përtej pretendimeve për evazionin fiskal, drejtori i Tatimeve bëri një tjetër zbulim, duke deklaruar se një inspektor kishte marrë mesazhe kërcënuese dhe kishte bërë kallëzim në muajin korrik. Binaj e cilësoi këtë si një nga rastet më të rënda të hasura gjatë dy viteve në krye të institucionit, për nga intensiteti i kërcënimeve.
Ai mohoi të ketë pasur ndikim nga eprorët apo presione në ushtrimin e detyrës, ndërsa shpjegoi se vendosi ta bënte publike çështjen pasi, sipas tij, ishte vënë në shënjestër vetë Administrata Tatimore, si për emërimin e tij, ashtu edhe për kontrollet ndaj bizneseve.
“Unë nuk jam i përfshirë, është vetëm një inspektor që ka marrë mesazhe kërcënuese dhe në korrik ka bërë kallëzim. Vendosa të bëja publike, por kjo nuk lidhet vetëm me faktin e evazionit, problemi im me deklaratën ishte se Administrata Tatimore u sulmua dy herë, e para me emërimin tim dhe e dyta me kontrollet që ne kryejmë.
Asnjëra nga këto nuk është e vërtetë. U sulmua Administrata Tatimore, prandaj dhe unë vendosa që ta bëj publike. Patjetër që unë i qëndroj deklaratës sime. Marrëdhënia ime është gjithnjë profesionale me eprorët e mi dhe nuk ka asnjë lloj influence apo presion lidhur me funksionet e mia. Është një ushtrim funksioni sipas rregullave që ka Administrata Tatimore.
Në funksionin tim prej dy vitesh unë mund të them se është rasti më i rëndë që unë kam hasur sa i takon kërcënimeve ndaj inspektorëve të mi. Ky është një nga rastet më të rënda që kam hasur, sa i takon kërcënimeve dhe intensitetit nga ana e bashkëshortit të zonjës Elisa Spiropali”, tha Binaj.
Drejtori i Tatimeve sqaroi gjithashtu se përballja publike nuk kishte si qëllim deputeten socialiste, por mbrojtjen e punës së administratës dhe mënyrës se si ajo ushtron kontrollet ndaj tatimpaguesve. Ai e cilësoi reagimin e Spiropalit si rastin e parë të një presioni me natyrë politike gjatë dy viteve të tij në detyrë, duke shtuar se më herët kishte hasur presione të tjera, por jo të kësaj natyre.
Në fund të intervistës, Binaj iu drejtua drejtpërdrejt deputetes me një mesazh, duke kërkuar që detyrimi për të paguar taksat të zbatohet njësoj për të gjithë qytetarët dhe bizneset.
“Të paguajë taksat si çdo qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë!”, tha Binaj./ad
