Last Updated on 24/08/2025 by adminfjala
Ukraina feston 34-vjetorin e Pavarësisë ditën e sotme, ndërsa në kuadër të kësaj ditë në Tiranë është zhvilluar një aktivitet. E pranishme në këtë aktivitet, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, tha se Shqipëria qëndron e palëkundur në mbështetje të Ukrainës
“Shqipëria ka qenë ndër vendet që ka mbështetur luftën e drejtë të Ukrainës për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj territorial. Shqipëria ka dëshmuar mbështetje të palëkundur ndaj Ukrainës. Shqipëria është palë me vendet e tjera në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ka shprehur solidaritet me vizita në Ukrainë të delegacione të kuvendit dhe të qeverisë. Shqipëria do të vijoj që të mbështet Ukrainën. Shqipëria mbështet edhe kontributin e presidentit amerikan Donald Trump dhe SHBA për dhënien fund të luftës dhe arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës. Vullneti i Uashingtonit dhe vendeve të BE janë drita e vetme në fund të tunelit. Pa paqe në Ukrainë s’mund të ketë paqe në Europë dhe më gjerë’, tha ajo.”, tha ajo.
Spiropali kujtoi nisjen e bombardimeve nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
“Në 24 gusht 1991, Parlamenti i Ukrainës riktheu pavarësinë e vendit. Për tre dekada, Ukraina ka përjetuar një tranzicion të gjatë, një liri që shfaqej edhe me fytyrën e pasigurisë dhe sfidave, me ecje përpara, por edhe me fraktura. Por asgjë nuk mund të barazohet me agresionin e nisur në 2014 dhe sidomos në shkurt 2022, kur një ish-perandori synoi të rivendoste autoritetin e saj mbi një vend të lirë, duke shkaktuar humbje të mëdha njerëzore dhe krizë globale”, shtoi ajo.
Ajo theksoi se lufta në Ukrainë është mësimi se askush nuk është imun nga e keqja dhe se ajo shfaqet në dhjetra forma aty ku duhet të ketë vetëm paqe.
‘Në gjysmëdekadën e fundit, bota ka ndryshuar në mënyrë të pabesueshme. Çdo mëngjes në Tiranë apo në Uashington, Paris apo Blerlin, Romë, Bruksel apo çdo skaj të botës, lajmet në televizione apo postimet në rrjetet sociale dëshmojnë për miliona fëmijë që njohin më mirë marshimin therrës të raketave, se sa tingujt e gjuhës amëtare. Njësoj si në vitet e pandemisë së Covidit, askush nuk ka imunitet, askush nuk është i përjashtuar nga frika dhe tmerri, humbja dhe disfata, askund tjetër më shumë se në Ukrainë nuk është shfaqur aq brutalisht dhe egërsisht lufta me të gjitha fytyrat e saj”, tha ajo. m.p.
