Last Updated on 31/08/2026 by EL
Linjat kryesore hekurudhore shqiptare që bëjnë pjesë në shtrirjen e rrjetit trans-evropian të transportit do të duhet të modernizohen sipas standardeve të reja teknike të Bashkimit Evropian. Kërkesat përcaktohen në rregulloren e re TEN-T, që tashmë zbatohet edhe në Shqipëri pas urdhrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të botuar në Fletoren Zyrtare.
Hartat orientuese për Ballkanin Perëndimor përfshijnë në rrjetin hekurudhor TEN-T lidhjen Vorë–Hani i Hotit drejt Malit të Zi, linjën nga Durrësi drejt Maqedonisë së Veriut, pjesë e Korridorit VIII hekurudhor, si dhe lidhjen hekurudhore drejt Vlorës.
Por përfshirja në TEN-T nuk lidhet vetëm me rehabilitimin fizik të shinave. Rregullorja e re vendos një sërë parametrash teknikë që infrastruktura hekurudhore duhet të përmbushë, me afate të ndryshme sipas klasifikimit të linjave në rrjetin kryesor, atë kryesor të zgjeruar apo rrjetin gjithëpërfshirës.
Një prej kërkesave kryesore është elektrifikimi i linjave, përfshirë edhe binarët anësorë kur kjo është e nevojshme për funksionimin e trenave elektrikë.
Një tjetër standard lidhet me transportin e mallrave. Linjat përkatëse duhet të përballojnë një ngarkesë minimale prej 22.5 tonësh për aks, ndërsa infrastruktura duhet të mundësojë qarkullimin e trenave të mallrave me gjatësi të paktën 740 metra, përfshirë lokomotivën.
Rregullorja vendos gjithashtu standarde të reja për shpejtësinë. Në rrjetin kryesor dhe atë kryesor të zgjeruar, për seksionet e përcaktuara të transportit të pasagjerëve, mbi 75% e gjatësisë së linjave që lidhin nyjet urbane ose një nyje urbane me pikën kufitare duhet të projektohet për shpejtësi prej të paktën 160 km/orë. Për transportin e mallrave, në seksionet përkatëse kërkohet projektim për të paktën 100 km/orë.
Ndryshime kërkohen edhe në sistemet e sinjalizimit. Linjat TEN-T duhet të pajisen me ERTMS – Sistemin Evropian të Menaxhimit të Trafikut Hekurudhor, që krijon një standard të përbashkët sinjalizimi dhe kontrolli dhe mundëson që trenat të operojnë në rrjetet e vendeve të ndryshme pa pengesat që krijojnë sistemet kombëtare të papajtueshme./et
