Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar publikisht se u ka kërkuar falje viktimave të Jeffrey Epstein, duke pranuar se ato kanë jetuar me një traumë të thellë dhe se drejtësia ndaj tyre ka qenë e vonuar ose e mohuar. Ai ka theksuar se njerëz me pushtet i kanë dështuar viktimat dhe ka shprehur keqardhje për këtë fakt.
Starmer ka bërë të ditur se kishte qenë në dijeni që ish-ambasadori britanik në SHBA, Peter Mandelson, e njihte Epstein, por sipas tij, vetëm së fundmi është zbuluar thellësia e vërtetë e kësaj marrëdhënieje. Kryeministri ka shtuar se kjo lidhje ngre pikëpyetje serioze mbi integritetin e Mandelson.
Ai ka theksuar se ndaj Mandelson janë shfaqur akuza serioze dhe prova të forta për sjelljen e tij, përfshirë marrëdhënien me Epstein, i cili ishte një abuzues seksual i dënuar. Sipas Starmer, në momentin e emërimit të Mandelson si ambasador, askush nuk e dinte natyrën e errët të kësaj marrëdhënieje.
Kryeministri ka bërë të ditur gjithashtu se Mandelson ishte pyetur drejtpërdrejt për lidhjet e tij me Epstein përpara se të emërohej ambasador, por përgjigjet që ai kishte dhënë rezultuan më pas të pavërteta.
Pas zbulimeve të reja, Mandelson është shkarkuar nga detyra dhe aktualisht ndodhet nën hetim për shpërdorim detyre.
Ndërkohë, Kremlini ka mohuar akuzat sipas të cilave Jeffrey Epstein ka qenë pjesë e shërbimeve sekrete ruse./mxh
