Disa senatorë demokratë amerikanë i kanë kërkuar këtë të enjte Pentagonit të kryejë një shqyrtim të menjëhershëm mbi SpaceX, mes akuzave se investitorë kinezë kanë blerë fshehurazi aksione, duke ngritur shqetësime për rreziqe të mundshme ndaj sigurisë kombëtare.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, senatorët Elizabeth Warren dhe Andy Kim i shkruan një letër Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, duke shprehur shqetësimin se investimet kineze në SpaceX mund të paraqesin “një kërcënim për sigurinë kombëtare, duke rrezikuar potencialisht infrastrukturën ushtarake, të inteligjencës dhe atë civile.”
Ligjvënësit përmendën raporte mediatike dhe dëshmi gjyqësore që sugjeronin se investitorë me lidhje me Kinën kishin kanalizuar fonde përmes entiteteve në Ishujt Kajman dhe Ishujt e Virgjër Britanikë për të fshehur blerjet e aksioneve të SpaceX.
E themeluar nga Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, SpaceX luan një rol qendror në infrastrukturën e sigurisë kombëtare të SHBA-ve, duke lëshuar satelitë ushtarakë dhe të inteligjencës si dhe duke operuar rrjetin e komunikimit Starlink, i cili përdoret nga Pentagoni dhe për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës.
Senatorët paralajmëruan se çdo pronësi kineze mund të aktivizojë rregullat amerikane që qeverisin pronësinë, kontrollin ose ndikimin e huaj, të njohura si FOCI, duke pasur parasysh ekspozimin e mundshëm të informacionit ose teknologjive të ndjeshme.
Letra i kërkon Departamentit të Mbrojtjes të zbulojë shkallën e çdo pronësie kineze, të vlerësojë nëse SpaceX i nënshtrohet kërkesave të zbutjes së FOCI dhe të përcaktojë nëse investimet e huaja duhet të shqyrtohen nga Komiteti për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashkuara. Senatorët kërkuan një përgjigje deri më 20 shkurt.
Blerja e fundit e xAI nga SpaceX, të cilën Musk e ka përshkruar si “motorin e inovacionit më ambicioz, vertikalisht të integruar në (dhe jashtë) Tokës, me IA, raketa, internet satelitor, komunikime direkte në celular dhe platformën më të avancuar të informacionit në kohë reale dhe të lirisë së fjalës në botë,” shton urgjencën e pyetjeve mbi investimet kineze në kompani, argumentuan senatorët./mxh
