Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ndodhet në një situatë të paprecedentë që rrezikon seriozisht punën e profesionistëve në fushën e stomatologjisë, për shkak të një konflikti të brendshëm që ka nisur vite më parë për drejtimin e tij, mes Nikoll Dedës dhe Almiro Gurakuqit.
Newsbomb.al është vënë në dijeni se më 12 Nëntor, Gjykata Administrative e Apelit ka marrë një vendim të formës së prerë i cili ka përmbysur të gjitha vendimet dhe veprimet e mëparshme, të dala nga Urdhri i Stomatologut.
Sikur të mos mjaftonte konflikti i brendshëm që ka nisur prej vitesh, vendimi i dy ditëve me parë nga gjykata, e ka futur institucionin në një situatë alarmante e cila rrezikon seriozisht dokumentacionin, legjitimitetin e licencave profesionale dhe funksionimin e Urdhrit të Stomatologut.
Vendimi ka nxjerrë në pah një krizë të thellë institucionale që është fshehur sistematikisht nga publiku dhe profesionistët e fushës.
Gjykata e Apelit Administrativ konfirmoi anulimin e vendimeve nr. 16 dhe nr. 18 të Asamblesë së Urdhrit të Stomatologut të datës 07.11.2019 – vendime nga të cilat u krijuan organet drejtuese aktuale të Urdhrit.
Sipas tij, këto organe janë jo legjitime, pasi janë produkt i një Asambleje të shpallur të pavlefshme dhe më e rëndësishmja, gjykata është shprehur se të gjitha veprimet administrative të kryera prej tyre janë gjithashtu të pavlefshme.
Kjo përfshin vendimet institucionale, aktet zyrtare dhe më e rëndësishmja licencat profesionale të stomatologëve.
Vendimi për licencat profesionale të stomatologëve duhet të kishte sjellë menjëherë pezullimin e veprimtarisë së organeve të Urdhrit dhe ndërhyrjen urgjente të Ministrisë së Shëndetësisë, por prej dy ditësh askush nuk ka reaguar dhe organet po vazhdojnë të funksionojnë.
Newsbomb.al ka arritur të mësojë se më shqetësues është një urdhër i nxjerr nga kryetari Almiro Gurakuqi, i cili pas marrjes së detyrës nuk i ka firmosur vetë licencat profesionale, por ka autorizuar punonjësen Dr. Gerta Kaçani, duke e caktuar të hedhë firmën në vend të tij.
Kjo praktikë është krejtësisht jashtë standardeve të institucioneve profesionale, sepse ligji parashikon, se:
– licenca profesionale është akt ekskluziv i Kryetarit të Urdhrit;
– nuk mund t’i delegohet nëpunësve administrativë;
– dhe nuk mund të firmoset nga persona që nuk janë pjesë e organeve të zgjedhura sipas ligjit.
Në kushtet kur organet e Urdhrit të Stomatologut janë shpallur të pavlefshme nga gjykata, autorizimi i një punonjëseje për firmën e licencave krijon dy probleme të rënda:
Kryetari vetë nuk ka legjitimitet për të deleguar kompetenca, sepse gjykata ka deklaruar se organi prej të cilit ai vjen është i pavlefshëm; dhe Autorizimi i një personi tjetër shkel qartësisht kuadrin ligjor, duke i bërë licencat të cënueshme dhe potencialisht të pavlefshme.
Kështu, nga pikëpamja juridike, licencat e lëshuara nga një punonjëse e autorizuar në mënyrë të dyshimtë, nga një organ i shpallur i pavlefshëm, përbëjnë një problem të madh ligjor për çdo stomatolog në vend, sepse ato mund:
– të kontestohen në çdo procedurë ligjore;
– të shpallen të pavlefshme nëse dikush i çon në gjykatë;
– të shkaktojnë probleme në auditime, sigurime dhe marrëdhënie kontraktore;
– të krijojnë probleme të menjëhershme për klinikat.
Në mënyrë alarmante, profesionistët kanë operuar pa dijeni të plotë se dokumenti që mbajnë në klinika mund të mos ketë asnjë vlerë juridike, ndaj Ministria e Shëndetësisë, e cila ka qenë palë në gjyq, duhet të reagojë menjëherë sepse ka detyrimin ligjor të monitorojë funksionimin e urdhrave profesionistë dhe të garantojë licencimin e rregullt.
Stomatologët kërkojnë veprim të menjëhershëm, për zbatimin e ligjit ddhe vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit. Kurse nga Ministria e Shëndetësisë, në kushtet e një vendimi të formës së prerë nga gjykata, duhet të pezullojë veprimtarinë e organeve të Urdhrit dhe të marrë masa për të garantuar vlefshmërinë e licencave. m.p.
