Studentët pritet të mblidhen sërish sot para Ministrisë së Arsimit, në vijim të protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, studentët bëjnë thirrje për mobilizim, duke theksuar se janë gati për protestën e radhës. Ata kërkojnë gjithashtu këshilla nga qytetarët se si të veprojnë për t’u mbrojtur gjatë tubimit, duke u kërkuar t’i ndajnë sugjerimet në komente, në mënyrë që t’i shohin të gjithë.
“Gati për sot, nëse keni këshilla se si duhet të veprojmë për t’u mbrojtur, shkruani në komente që t’i shohin të gjithë”, thuhet në mesazhin e tyre.
Studentët shprehen të vendosur për të vijuar protestat, duke përsëritur thirrjen e tyre: “Pa dorëheqje nuk ndalojmë!”
Tubimi i sotëm vjen pas protestës së 13 tetorit në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë, përdorimin e gazit lotsjellës dhe shoqërime në komisariat. Studentët vijojnë të kërkojnë përgjegjësi për situatën e krijuar dhe paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre./ad

