Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
Bojkoti i mësimit po përhapet në disa institucione arsimore në Tiranë dhe Elbasan. Studentë, gjimnazistë, prindër dhe të moshuar janë përfshirë në mobilizimin e sotëm, ndërsa nxënësit dhe studentët po braktisin klasat dhe auditorët për t’iu bashkuar protestës.
Ora 10:00 e mëngjesit e gjeti Tiranën në një situatë mobilizimi, pas bojkotimit të mësimit nga nxënësit e gjimnazit “Partizani”. Protestës i janë bashkuar edhe studentë të Universitetit të Mjekësisë dhe të Universitetit Politeknik, duke e zgjeruar lëvizjen në disa prej institucioneve arsimore të kryeqytetit.
Gjatë zhvillimeve të mëngjesit, është raportuar për thyerjen e derës së Fakultetit të Shkencave të Natyrës (FSHN). Ndërkohë, studentë dhe gjimnazistë kanë nisur marshimin në drejtim të Ministrisë së Arsimit, duke e zhvendosur protestën nga ambientet arsimore në rrugët e Tiranës.
Bojkoti është shtrirë edhe në Elbasan. Studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” kanë lënë auditorët, ndërsa në mobilizim janë përfshirë edhe shkolla të mesme të qytetit.
Zhvillimet vijnë një ditë pas protestës së 13 tetorit në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Sot, studentët dhe gjimnazistët po vijojnë mobilizimin përmes bojkotimit të mësimit dhe marshimeve, ndërsa kërkesa për dorëheqje mbetet një nga thirrjet e protestës./ad
