Me distinktivë ku shkruhet “Fitore”, një listë pyetjesh dhe një aplikacion që regjistron mbështetjen e qytetarëve, studentët serbë po shkojnë derë më derë në lagjet e Beogradit. Ata nuk po kërkojnë më vetëm drejtësi për viktimat e një tragjedie apo përgjegjësi nga institucionet. Këtë herë po kërkojnë vota.
Pas gati dy vitesh protestash që kanë tronditur Serbinë, lëvizja studentore po përgatitet për sfidën e saj më të madhe: zgjedhjet parlamentare të së dielës, më 25 tetor, ku do të përpiqet të mposhtë Partinë Progresive Serbe (SNS), që ka dominuar politikën e vendit për 14 vjet.
Sipas një reportazhi të The Guardian, lista zgjedhore e krijuar nga studentët përfaqëson një nga kërcënimet më serioze ndaj pushtetit të Aleksandar Vuçiçit, i cili dha dorëheqjen nga posti i presidentit në shtator dhe tani synon të rikthehet në drejtimin e vendit si kryeministër.
Nga një tragjedi në Novi Sad te një lëvizje kombëtare
Gjithçka nisi më 1 nëntor 2024, kur shembja e një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit shkaktoi vdekjen e 16 personave. Tragjedia ngriti dyshime serioze për cilësinë e punimeve dhe përgjegjësinë e institucioneve. Megjithatë, ende nuk ka një përfundim zyrtar për shkaqet e shembjes dhe asnjë zyrtar nuk është shpallur fajtor.
Kur studentët e Beogradit organizuan një tubim përkujtimor për viktimat, disa prej tyre u sulmuan nga një grup mbështetësish të partisë në pushtet. Ajo që nisi si një protestë për drejtësi u shndërrua gradualisht në një lëvizje kombëtare kundër korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes.
Studentët shmangën fillimisht lidhjet me partitë opozitare dhe refuzuan modelin tradicional të drejtimit me një udhëheqës të vetëm. Vendimet merreshin në mënyrë kolektive, përmes mbledhjeve studentore, duke e bërë më të vështirë identifikimin dhe sulmin ndaj një figure të vetme.
Por pas muajsh protestash, lëvizja vendosi të ndërmarrë një hap tjetër: të konkurrojë drejtpërdrejt për pushtetin.
250 kandidatë dhe një mënyrë e pazakontë për të bërë politikë
Lista Studentore ka përzgjedhur 250 kandidatë, shumica të propozuar nga fakultetet universitare dhe të miratuar përmes mbledhjeve të studentëve. Mes tyre ka akademikë, profesionistë të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të sektorit bujqësor. Më shumë se 160 kandidatë mbajnë titullin doktor.
Përkrahësit e lëvizjes argumentojnë se mungesa e përvojës në politikën tradicionale nuk është domosdoshmërisht dobësi.
“Ne jemi amatorë në politikë, por jemi ekspertë”, thotë Milica Jovanovic, pedagoge në Universitetin e Beogradit dhe një nga kandidatet.
Megjithatë, programi i hartuar përmes vendimmarrjes kolektive nuk është pa kundërshti. Çështje të debatueshme janë lënë të hapura ose janë trajtuar në mënyrë që të shmangen përçarjet brenda lëvizjes.
Për shembull, anëtarësimi i ardhshëm i Serbisë në Bashkimin Europian është lënë për t’u vendosur përmes një referendumi, ndërsa Kosova vazhdon të konsiderohet pjesë përbërëse e Serbisë në programin e listës studentore. Kjo tregon se, pavarësisht synimit për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes, lëvizja nuk përfaqëson domosdoshmërisht një shkëputje nga të gjitha qëndrimet tradicionale të politikës serbe.
A kanë studentët mbështetje të mjaftueshme për të fituar?
Sondazhet japin një panoramë të paqartë. Një studim i publikuar në korrik nga organizata serbe CRTA dhe Universiteti Stanford tregonte se 45% e të anketuarve mbështesnin studentët, kundrejt 36% që mbështesnin SNS-në.
Megjithatë, sondazhe të tjera më të fundit e nxjerrin partinë në pushtet në avantazh. Disa prej kompanive që i kanë realizuar këto sondazhe konsiderohen nga opozita si të afërta me qeverinë.
Ndërkohë, Vuçiç ka shtuar daljet publike dhe angazhimin në fushatë. Vetëm gjatë gushtit, sipas The Guardian, ai u shfaq 129 herë drejtpërdrejt në televizion, më shumë se katërfishi i muajit të mëparshëm.
Kontrolli i medias është një tjetër pengesë për studentët. Sipas një studimi të Qendrës për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie, organizatë e shoqërisë civile e pavarur dhe jopartiake në Serbi, në shtator, 69% e kohës televizive kushtohej përfaqësuesve të shumicës qeverisëse. Nga mbulimi i mbetur për opozitën, 42% kishte ton negativ.
Për këtë arsye, studentët kanë zgjedhur një strategji tjetër: takimet e drejtpërdrejta me qytetarët. Vullnetarët po shkojnë derë më derë, përfshirë fshatrat dhe zonat rurale, ku SNS ka tradicionalisht mbështetje të fortë.
Megjithatë, jo të gjithë besojnë se kjo strategji do të funksionojë. Ish-ministrja Gordana Comis, e cila ka shërbyer në qeverinë e SNS-së, e konsideron të ekzagjeruar praninë e studentëve në zonat rurale dhe parashikon se ata do të fitojnë vetëm rreth 80 nga 250 vendet parlamentare.
Korrupsioni dhe pakënaqësia me qeverisjen
Në takimet me qytetarët, korrupsioni është një nga shqetësimet më të shpeshta. Slogani i Listës Studentore, “Serbia apo mafia?”, e vendos këtë çështje në qendër të fushatës, duke iu referuar perceptimit të përhapur për lidhjet mes pushtetit dhe krimit të organizuar. Qeveria i mohon akuzat dhe deklaron se po punon kundër krimit të organizuar.
Çfarë mund të ndodhë pas zgjedhjeve?
Frika më e madhe nuk lidhet vetëm me rezultatin e zgjedhjeve, por edhe me atë që mund të ndodhë më pas. Në Serbi ka pasur më parë akuza për blerje votash, intimidim të zgjedhësve dhe manipulime zgjedhore. Për këtë arsye, studentët po përgatiten të angazhojnë një numër të madh vëzhguesish në qendrat e votimit.
Në një garë të ngushtë, partitë e pakicave kombëtare, përfshirë ato që përfaqësojnë shqiptarët, boshnjakët dhe hungarezët, mund të luajnë rol vendimtar në formimin e shumicës parlamentare.
Ekziston gjithashtu shqetësimi për përplasje të mundshme pas shpalljes së rezultateve, veçanërisht nëse njëra palë nuk e pranon humbjen.
Ndërkohë, për shumë qytetarë, këto zgjedhje janë më shumë sesa një përballje mes dy alternativave politike. Dy vite më parë, studentët dolën në rrugë për të kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 njerëzve. Sot, po kërkojnë mundësinë për të drejtuar institucionet të cilave u kërkonin llogari.
Nëse do t’ia dalin, mbetet për t’u parë. Por fakti që një lëvizje studentore, pa një udhëheqës tradicional dhe pa përvojë të gjatë partiake, ka arritur të sfidojë një sistem politik të konsoliduar prej 14 vjetësh, përbën tashmë një ndryshim të rëndësishëm në politikën serbe.
Në fund, është e vështirë të mos e lidhim historinë e studentëve serbë me situatën aktuale në Shqipëri. Edhe pse rrethanat janë të ndryshme, përvoja serbe ngre një dilemë: A mjafton të kërkosh ndryshimin e pushtetit, apo duhet të kesh edhe një plan për çfarë vjen më pas?/k.m
