Baballarët që kanë vajza mund të kenë një avantazh të papritur kur bëhet fjalë për jetëgjatësinë. Një studim i realizuar nga studiues të Universitetit Jagiellonian në Poloni ka gjetur një lidhje mes numrit të vajzave dhe jetëgjatësisë së baballarëve, duke sugjeruar se prania e vajzave mund të shoqërohet me një jetë më të gjatë.
Studimi, i publikuar në American Journal of Human Biology, analizoi të dhëna nga 4,310 persona, përfshirë 2,163 baballarë dhe 2,147 nëna, duke shqyrtuar nëse numri dhe gjinia e fëmijëve lidhej me jetëgjatësinë e prindërve.
Rezultati më interesant ishte tek baballarët: për çdo vajzë të lindur, jetëgjatësia e babait ishte mesatarisht 74 javë më e lartë. Në të kundërt, numri i djemve nuk rezultoi të kishte një ndikim statistikisht të rëndësishëm në jetëgjatësinë e baballarëve.
Kjo do të thotë se, nëse lidhja e vërejtur në studim do të shprehej thjesht në shifra, një baba me dy vajza do të lidhej statistikisht me rreth 148 javë, ose afërsisht 2 vite e 10 muaj, më shumë jetëgjatësi. Por kjo nuk duhet interpretuar si një “bonus jetësor” i garantuar për çdo baba me vajza.
Po pse vajzat?
Studiuesit nuk provuan një mekanizëm të vetëm që shpjegon këtë lidhje. Një nga hipotezat lidhet me marrëdhëniet sociale dhe mbështetjen që fëmijët mund t’u ofrojnë prindërve, veçanërisht në moshë të madhe.
Në dokumente që i referohen këtij studimi theksohet se vajzat mund të jenë të lidhura me kontakte më të shpeshta sociale dhe me një mundësi më të madhe që baballarët të marrin ndihmë kur kanë nevojë. Kjo mund të bëhet veçanërisht e rëndësishme me kalimin e moshës.
Kjo është edhe arsyeja pse disa media ndërkombëtare e kanë rikthyer studimin në vëmendje. HerFamily, për shembull, e ka trajtuar gjetjen si një nga përfitimet e pazakonta të të qenit baba i vajzave, duke iu referuar të njëjtës shifër prej 74 javësh për çdo vajzë.
Por studimi sjell edhe një rezultat tjetër interesant. Tek nënat, si vajzat ashtu edhe djemtë u shoqëruan me një reduktim të jetëgjatësisë, mesatarisht rreth 95 javë për çdo fëmijë. Pra, efekti i vërejtur tek baballarët nuk u përsërit në të njëjtën formë tek nënat.
Vajzat nuk janë domosdoshmërisht “sekreti i jetëgjatësisë”
Pavarësisht titujve tërheqës që ka marrë ky studim në media dhe rrjete sociale, studiuesit nuk thonë se vajzat shkaktojnë drejtpërdrejt jetëgjatësinë e baballarëve.
Bëhet fjalë për një lidhje statistikore, jo për një marrëdhënie shkak-pasojë të provuar. Vetë kushtet sociale, ekonomike, mënyra e jetesës, shëndeti dhe marrëdhëniet familjare mund të ndikojnë në jetëgjatësi dhe është e vështirë të përcaktohet se cili prej tyre është përgjegjës për rezultatin.
Në fakt, edhe burime që e kanë rikthyer studimin në diskutim paralajmërojnë se korrelacioni nuk do të thotë domosdoshmërisht shkakësi.
Megjithatë, gjetja hap një diskutim interesant mbi një faktor që shpesh lihet në hije kur flitet për jetëgjatësinë: fuqinë e lidhjeve sociale dhe familjare. Mbështetja emocionale, kontakti i rregullt me familjen dhe ndihma në moshë të madhe mund të jenë të rëndësishme për mirëqenien e prindërve.
Pra, përtej shifrës së bujshme prej 74 javësh, mesazhi më interesant i studimit mund të jetë më i gjerë: marrëdhëniet që ndërtojmë brenda familjes mund të kenë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si plakemi dhe në cilësinë e viteve që jetojmë./ad
