Një studim i ri i realizuar nga ekspertë të Universitetit të Padovës në Itali mund të ketë zbuluar shkakun e vërtetë që çoi në humbjen graduale të zërit të sopranos legjendare Maria Callas. Sipas kërkimeve, artistja mund të ketë vuajtur nga dermatomioziti, një sëmundje e rrallë autoimune që prek muskujt dhe mund të ndikojë edhe në aftësinë për të kënduar.
Për dekada me radhë, rënia e zërit të Callas është lidhur me stresin, lodhjen, humbjen e madhe në peshë dhe përdorimin intensiv të zërit gjatë karrierës së saj. Megjithatë, studimi i publikuar në revistën “Journal of Voice” sugjeron se pas problemeve të saj vokale mund të fshihej një shkak mjekësor i padiagnostikuar në atë kohë.
“Ne hulumtuam literaturën ndërkombëtare të ORL-së dhe reumatologjisë, duke përfshirë burimet historike, rrëfimet mjekësore bashkëkohore, analizat foniatrike dhe vlerësimet e regjistrimeve dhe performancave të filmuara të Callas-it“, zbulon Profesor Rosario Marchese Ragona, autorja e parë e studimit, drejtoreshë e Shkollës së Specializimit në Audiologji dhe Foniatrikë dhe profesoreshë e asociuar e ORL-së.
“Ne arritëm në përfundimin se sopranoja ndaloi së kënduari për shkak të dermatomiozitit , i cili është i vështirë për t’u diagnostikuar, por nga i cili shohim disa raste çdo vit. Fillimisht mund të manifestohet si disfoni e izoluar ose mbizotëruese, për shkak të përfshirjes inflamatore të muskujve të brendshëm të laringut, lezioneve të mukozës së kordave vokale ose, më rrallë, parezës së kordave.”
Studiuesit analizuan dokumente historike, dëshmi mjekësore, regjistrime audio dhe video të artistes, duke arritur në përfundimin se simptomat e saj përputhen me dermatomiozitin. Mes tyre përmenden lodhja progresive e zërit, vështirësitë në frymëmarrje gjatë këndimit, humbja e fuqisë vokale dhe periudhat e disfonisë.
“Në rastin e Maria Callas, ne identifikuam ngjashmëri të shumta klinike dhe funksionale, duke përfshirë lodhjen progresive vokale, humbjen e mbështetjes respiratore, vështirësinë në ruajtjen e fuqisë vokale, disfoninë luhatëse dhe përmirësimin e pjesshëm pas trajtimit me kortikosteroide. Ngjirja e vazhdueshme ose atipike e zërit nuk duhet nënvlerësuar kurrë; në disa raste, mund të jetë shenja e parë e një sëmundjeje sistemike.”
Maria Callas, e konsideruar si një nga sopranot më të mëdha të të gjitha kohërave, kishte një shtrirje të jashtëzakonshme vokale prej tri oktavash. Megjithatë, që nga fillimi i viteve 1960, performancat e saj u bënë gjithnjë e më të rralla. Ajo këndoi për herë të fundit më 5 korrik 1965 në Covent Garden të Londrës, ku interpretoi operën “Tosca” të Puçinit.
Autorët e studimit theksojnë se diagnoza e hershme e dermatomiozitit është shumë e rëndësishme, pasi sëmundja mund të trajtohet me terapi specifike. Ata paralajmërojnë gjithashtu se një ngjirje e vazhdueshme e zërit nuk duhet neglizhuar, pasi mund të jetë shenja e parë e një problemi më serioz shëndetësor.
“Nëse diagnostikohet herët, kjo sëmundje mund të trajtohet me ilaçe specifike. Në fakt, një soprano amerikane është shëruar dhe është rikthyer në këndim”, përfundon profesor Marchese Ragona./mxh
