Stuhitë ekstreme diellore mund t’i ekspozojnë pasagjerët dhe ekuipazhet e avionëve ndaj niveleve të rrezikshme të rrezatimit, ndërsa njëkohësisht mund të shkaktojnë probleme në sistemet elektronike të avionëve dhe të sjellin ndërprerje të fluturimeve, sipas një studimi të ri nga Universiteti i Surrey-t.
Hulumtimi, i realizuar nga Surrey Space Centre (SSC) dhe publikuar në revistën Journal of Space Weather and Space Climate, tregon se nivelet e rrezatimit mund të rriten ndjeshëm në lartësitë tipike të fluturimit, rreth 8 deri në 14 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës.
Rritja e rrezatimit nuk prek vetëm pasagjerët dhe ekuipazhin. Grimcat me energji të lartë që mbërrijnë nga hapësira mund të ndërhyjnë edhe në sistemet elektronike të avionëve, duke krijuar gabime të vogla të njohura si Single Event Upsets (SEU). Nëse këto gabime grumbullohen, ato mund të ndikojnë edhe në sisteme kritike të avionit.
Rrezatimi mund të rritet ndjeshëm gjatë stuhive diellore
Atmosfera e Tokës siguron një pjesë të mbrojtjes ndaj rrezatimit kozmik, por ekspozimi në lartësitë e fluturimit është dukshëm më i lartë se në tokë. Rreziku rritet gjatë stuhive diellore dhe shpërthimeve diellore.
Sipas llogaritjeve të Surrey Space Centre, një stuhi e fuqishme diellore në nëntor 2025 bëri që nivelet e rrezatimit të rriteshin për një periudhë të shkurtër në pothuajse 10-fishin e nivelit normal për fluturimet në lartësi të mëdha.
Edhe sistemet e avionëve po bëhen më të ekspozuara ndaj këtyre fenomeneve, pasi avionët modernë mbështeten gjithnjë e më shumë në elektronikë dhe sisteme të kompjuterizuara.
Rreziku nuk është vetëm teorik. Vitin e kaluar, Airbus nxori përkohësisht nga operimi rreth 6,000 avionë A320, pasi u identifikua një cenueshmëri në kompjuterin e kontrollit të fluturimit, e lidhur me rrezatimin diellor intensiv.
Problemi u zbulua pasi një avion i kompanisë JetBlue, që udhëtonte nga Cancún drejt Newarkut, u detyrua të kryente një ulje emergjente në Florida në tetor 2025.
Fluturimet pranë poleve janë veçanërisht të ekspozuara
Pasojat e motit ekstrem hapësinor mund të shkojnë përtej rrezatimit. Defektet elektronike mund të rrisin ndjeshëm ngarkesën e punës së pilotëve dhe, në skenarët më ekstremë, numri i gabimeve SEU mund të rritet nga disa në orë në mijëra.
Rreziku është veçanërisht i lartë për fluturimet në itineraret pranë poleve, si Londër–Vankuver. Gjatë stuhive të fuqishme gjeomagnetike, efektet e rrezatimit mund të shtrihen edhe shumë më në jug, duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar.
“Incidenti i fundit me Airbus A320, i lidhur me rrezatimin kozmik, tregon se moti hapësinor nuk është një rrezik teorik. Ai tashmë po ndikon në aviacion”, tha Dr. Fan Lei, studiues i lartë në Surrey Space Centre dhe autor kryesor i studimit.
Sipas tij, ndërsa sistemet e avionëve bëhen më të avancuara dhe varen gjithnjë e më shumë nga elektronika, kuptimi dhe përgatitja ndaj këtyre fenomeneve do të jenë thelbësore për sigurinë e fluturimeve.
Aviacionit i mungon një standard i unifikuar
Studimi evidenton gjithashtu një boshllëk në kuadrin aktual të sigurisë së aviacionit. Shumica e standardeve ekzistuese përqendrohen te ekspozimi i zakonshëm ndaj rrezatimit dhe nuk marrin mjaftueshëm në konsideratë episodet ekstreme të motit hapësinor.
Shkencëtarët kërkojnë që të dhënat për motin hapësinor të integrohen më mirë në planifikimin e fluturimeve dhe që kompanitë ajrore të kenë udhëzime më të qarta se kur duhet të marrin masa.
Studiuesit e Surrey Space Centre kanë propozuar një shkallë të posaçme për rrezatimin atmosferik, e cila do të mundësonte përcaktimin e pragjeve për masa të tilla si monitorimi i shtuar, ndryshimi i itinerarit apo, në rastet më të rënda, pezullimi i fluturimeve.
“Për momentin, sektori i aviacionit nuk ka një mënyrë të unifikuar për të vlerësuar dhe menaxhuar rreziqet nga moti ekstrem hapësinor”, tha profesori Keith Ryden, drejtues i ekipit kërkimor për Mjedisin Hapësinor dhe Mbrojtjen në Surrey Space Centre.
Sipas studiuesve, sistemi i ri do të kombinonte matjet e protoneve me energji të lartë në hapësirë, monitorët e neutroneve në tokë dhe modelet e rrezatimit për të përcaktuar më saktë rrezikun për njerëzit dhe sistemet elektronike të avionëve.
Me rritjen e aktivitetit diellor dhe varësinë në rritje të aviacionit nga sistemet elektronike, moti hapësinor po shndërrohet në një faktor që industria ajrore nuk mund ta trajtojë më vetëm si një rrezik të rrallë dhe teorik./ad
