Dy persona u vranë dhe një tjetër u plagos nga një sulm me dron në vendbanimin Sartana, në rajonin e Donetskut, njoftoi të dielën Komiteti Hetimor Rus.
Sipas një zyrtari të këtij institucioni, mes viktimave janë dy civilë, përfshirë një fëmijë të lindur në vitin 2020. Një tjetër fëmijë u plagos dhe ndodhet aktualisht në spital, ku po merr ndihmë mjekësore të specializuar.
Agjencia Reuters bën të ditur se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto raportime, ndërsa nga Kievi nuk pati reagim të menjëhershëm.
Shtëpia ku ndodhi sulmi u shkatërrua plotësisht dhe disa banesa përreth pësuan dëmtime. Dëshmitarë okularë thanë për Reuters se droni mori flakë sapo ra dhe më pas shpërtheu.
“Vrapova jashtë me një kovë me ujë. Hodha një kovë, pastaj një tjetër. Bëra dy hapa dhe droni shpërtheu. Është një mrekulli që mbijetova,” tha banori i Sartanas, Konstantin Savçenko.
Presidenti rus Vladimir Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt 2022, duke e cilësuar ndërhyrjen si një veprim mbrojtës ndaj Perëndimit, të cilin e përshkroi si armiqësor dhe agresiv. Ukraina dhe vendet perëndimore thonë se Rusia po zhvillon një luftë me karakter imperialist.
Sartana është një vendbanim rural në rajonin e Donetskut, në Ukrainën lindore nën kontroll rus, pranë qytetit-port të Mariupolit.
Donetsku është një nga katër rajonet e Ukrainës që Rusia i ka pushtuar pjesërisht dhe i ka shpallur si territorin e saj në vitin 2022, një veprim i dënuar si i paligjshëm nga shumica e vendeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./mxh
