Autoritetet ruse kanë njoftuar se të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 35 fëmijë janë plagosur pas një sulmi me dronë të kryer gjatë natës në një konvikt studentësh në rajonin e Luhanskut, në Ukrainën lindore të kontrolluar nga Rusia.
Ngjarja, sipas zyrtarëve të instaluar nga Moska në këtë zonë, ka ndodhur në një konvikt që i përket një kolegji pedagogjik, ku ndodheshin të rinj të moshës 14 deri në 18 vjeç.
Autoritetet ruse deklarojnë se ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë disa persona nga rrënojat, ndërsa kërkimet për të mbijetuar të tjerë vijojnë ende.
Zyrtarë rusë dhe përfaqësues të instaluar në Luhansk, përfshirë Leonid Pasechnik, thanë se ndërtesa është dëmtuar rëndë dhe pjesë të saj janë shembur plotësisht.
Komisionerja ruse për të Drejtat e Njeriut, Yana Lantratova, deklaroi se në konvikt ndodheshin të paktën 86 adoleshentë në momentin e sulmit.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi sulmin si një “krim monstruoz” dhe kërkoi ndëshkimin e përgjegjësve.
Pamje të publikuara nga autoritetet ruse tregojnë ndërtesa të shkatërruara, zjarr dhe ekipe shpëtimi që po nxjerrin të mbijetuar nga rrënojat.
Rusia dhe Ukraina nuk e kanë komentuar në mënyrë të detajuar ngjarjen, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të mohojnë se shënjestrojnë qëllimisht civilët në konflikt.
Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të larta në frontin lindor të luftës në Ukrainë, ku sulmet dhe kundërsulmet mes palëve vijojnë pa ndërprerje./mxh
