Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka bërë thirrje për vigjilencë të shtuar dhe monitorim të vazhdueshëm të pasagjerëve dhe ekuipazhit të një anijeje turistike, pas rasteve të reja të raportuara me hantavirus.
Në një konferencë për shtyp në Gjenevë, ai konfirmoi se është regjistruar një rast i ri tek një anëtar ekuipazhi nga Holanda, i cili kishte zbritur në Tenerife dhe më pas ishte kthyer në vendin e tij, ku ndodhet në izolim.
Sipas të dhënave të OBSH-së, numri total i rasteve të raportuara ka arritur në 12, ndërsa janë shënuar tre viktima që nga shpërthimi i parë i infeksionit.
Tedros theksoi se që nga 2 maji nuk është raportuar asnjë viktimë e re, por paralajmëroi se autoritetet shëndetësore në vendet e prekura duhet të vazhdojnë gjurmimin e kontakteve dhe monitorimin e udhëtarëve gjatë periudhës së karantinës.
Ai shtoi se më shumë se 600 kontakte po ndiqen në rreth 30 vende të ndryshme, ndërsa një numër i vogël personash me rrezik të lartë ende po lokalizohen.
OBSH u ka bërë thirrje të gjitha shteteve të përfshira që të ruajnë masat e mbikëqyrjes për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit./mxh
