Katër persona janë arrestuar këtë të shtunë në Kullën e Londrës, pasi hodhën ushqim mbi kutinë e ekspozimit që mban Kurorën Imperiale të Shtetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 sipas kohës lokale, ku sipas policisë britanike, protestuesit shkaktuan dëmtime në mbulesën mbrojtëse të kurorës.
Grupi “Take Back Power”, i cili e përshkruan veten si një lëvizje rezistence civile, publikoi pamje të momentit të sulmit, duke thënë se dy prej aktivistëve të tij spërkatën kutinë e ekspozimit me ëmbëlsirë “apple crumble” dhe krem pastiçerie. Në total, policia ndaloi katër persona, të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim.
Për pasojë, “Jewel House”, hapësira ku ruhen dhe ekspozohen bizhuteritë mbretërore, është mbyllur për publikun ndërsa vijon hetimi.
Kurora Imperiale e Shtetit përdoret nga Mbreti Charles në disa nga ceremonitë më të rëndësishme, përfshirë Hapjen e Sesionit Parlamentar dhe momentin e rikthimit në Pallatin Buckingham pas kurorëzimit në vitin 2023.
Menaxhmenti i “Historic Royal Palaces”, që administron kështjellën 1,000-vjeçare, nuk ka komentuar ende për incidentin. Ndërkohë, grupi protestues tha se veprimi i tyre kishte për qëllim të tërhiqte vëmendjen ndaj kërkesës për rritjen e taksave ndaj super të pasurve.
