Një tanker që dyshohet se përdorej nga Rusia për të shmangur sanksionet ndërkombëtare është goditur nga dronët detarë ukrainas ‘Sea Baby’ në Detin e Zi.
Anija “Dashan”, që lundronte nën flamurin e Komoreve, u përfshi nga flakët pasi u sulmua teksa po i drejtohej portit rus të Novorossiysk me transponder të fikur.
Shërbimi Sekret i Ukrainës (SBU) publikoi pamje të momentit të sulmit, ku dronët kamikazë shihen duke iu afruar me shpejtësi dhe duke u përplasur drejtpërdrejt në trupin e anijes. Shpërthime të fuqishme dhe re të mëdha tymi u ngritën mbi tanker, i cili sipas SBU-së është çaktivizuar plotësisht. Nuk ka ende informacione për të plagosur.
Ky është tankeri i tretë i goditur nga Ukraina brenda dy javësh, pas goditjes së “Kairo” dhe “Virat” më 29 nëntor. Sipas SBU-së, objektivi i këtyre operacioneve është të ulet ndjeshëm rrjedha e parave të naftës drejt buxhetit rus.
Moska nuk ka komentuar për incidentin, por presidenti Putin ka paralajmëruar se Rusia mund të bllokojë aksesin e Ukrainës në Detin e Zi, duke i cilësuar sulmet ndaj tankerëve “akte piraterie”.
Ukraina ka goditur prej muajsh rafineritë e naftës në territorin rus me dronë me rreze të gjatë, por sulmet ndaj anijeve tregojnë një fazë të re të strategjisë së saj për të goditur ekonominë e Kremlinit./K.M
