Bashkëpiloti i një avioni të Flydubai që po fluturonte drejt Tel Avivit sulmoi kapitenin me sëpatën e emergjencës dhe tentoi të merrte kontrollin e avionit, në atë që Prokurori i Përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe e cilësoi si një përpjekje për të kryer “një sulm terrorist”.
Prokurori i Përgjithshëm Hamad Saif al-Shamsi tha të shtunën se bashkëpiloti i fluturimit FZ1073 të Flydubai u përpoq të merrte kontrollin e avionit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve WAM, hetimi po vijon për të zbardhur të gjitha rrethanat e incidentit, motivet dhe lidhjet e mundshme, ndërsa autoritetet po kryejnë gjithashtu ekzaminime teknike dhe po analizojnë prova fizike dhe digjitale.
Sipas burimeve të Associated Press, të cituara edhe nga Wall Street Journal, bashkëpiloti është shtetasi oman Hamam al-Hammami. Ai ishte ndaluar më parë nga autoritetet e Omanit të kryente fluturime, për shkak të shqetësimeve se kishte shfaqur shenja të pikëpamjeve radikale ideologjike.
Më pas, sipas një burimi të AP, ai u punësua nga Flydubai, kompani ajrore me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Nuk është bërë menjëherë e qartë se në çfarë niveli verifikimi iu nënshtrua ai gjatë procesit të punësimit.
Al-Hammami kishte lindur në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe kishte punuar për kompaninë ajrore kombëtare të Omanit. Zyrtarët thanë se ai ishte larguar nga detyrat e fluturimit për shkak të shqetësimeve se kishte shfaqur shenja të pikëpamjeve ekstremiste dhe ishte transferuar në një pozicion administrativ në Oman Air. Për pjesën tjetër të të kaluarës së tij dihen pak të dhëna. Llogaria e tij në Instagram ishte aktive deri në ditën e fluturimit dhe më pas u fshi.
Mënyra se si bashkëpiloti arriti të ishte në kabinën e avionit të mërkurën në mëngjes është një nga pyetjet kryesore që po hetojnë autoritetet. Izraeli thotë se ka marrëveshje me kompanitë e huaja ajrore për të parandaluar që pilotët shtetas të vendeve që nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin të fluturojnë drejt vendit. Izraeli dhe Omani nuk kanë marrëdhënie diplomatike zyrtare.
Sipas Associated Press, agjencitë e sigurisë nga katër vende të rajonit po përpiqen të përcaktojnë motivet e bashkëpilotit, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe qeverive të tjera perëndimore.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të premten se bashkëpiloti kishte kaluar në “radikalizim islamist”, por nuk paraqiti prova për këtë pretendim. Qeveria izraelite nuk kishte bërë ende koment të shtunën.
Kapiteni i Flydubai, shtetasi indian Smit Machchhar, i tha kryeministrit indian Narendra Modi në një video nga shtrati i spitalit në Arabinë Saudite se, ndërsa po sulmohej, përdori energjitë që i kishin mbetur për të hapur derën e kabinës. Kjo u mundësoi pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit të hynin në kabinë, të neutralizonin bashkëpilotit dhe të stabilizonin avionin.
I vlerësuar si hero për shpëtimin e pasagjerëve, Machchhar tha se po luftonte për jetën e tij. Ai tregoi se, ndërsa ishte i shtrirë në dysheme, mund të ndiente se avioni po humbiste lartësi dhe e kuptoi se duhej të ngrihej për të hapur derën.
“Kur isha i shtrirë në dysheme, mund të ndieja se avioni po binte. E dija saktësisht se kjo do të ishte shtytja e fundit. I thashë vetes se nëse nuk ngrihesha, do të kishte një problem. Arrita të hap derën dhe më pas të gjithë të tjerët hynë”, tha ai.
Këshilltari presidencial i Emirateve, Anwar Gargash, tha se piloti indian i Flydubai, Smit Machchhar, “meriton çdo vlerësim” për guximin dhe përgjegjësinë e treguar përballë asaj që ai e cilësoi si një akt të rrezikshëm terrorist dhe një katastrofe të mundshme.
“Profesionalizmi dhe përgjegjësia e tij morale në rrethanat më të vështira e bëjnë atë një hero të vërtetë”, tha Gargash.
“Përtej thjeshtëzimit të asaj që ndodhi apo përhapjes së teorive konspirative, vigjilenca dhe kujdesi mbeten thelbësore në përballjen me rreziqet e ekstremizmit dhe terrorizmit”, shtoi ai.
Incidenti ka shkaktuar tronditje dhe mosbesim brenda komunitetit të pilotëve në Emirate dhe ka vënë sërish në vështirësi industrinë rajonale të udhëtimeve, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e aviacionit në një Lindje të Mesme tashmë të tronditur nga lufta SHBA-Iran.
Emiratet e Bashkuara Arabe anuluan të gjitha fluturimet drejt Izraelit, ndërsa kompania izraelite El Al anuloi fluturimet e planifikuara drejt Emirateve pas incidentit. Izraeli dhe Emiratet ranë dakord për organizimin e fluturimeve të riatdhesimit për të kthyer pasagjerët në vendet e tyre./k.m
