Bashkimi Evropian ka rritur nivelin e gatishmërisë së anijeve të misionit të tij detar EUNAVFOR ASPIDES në Detin e Kuq, në një kohë kur situata e sigurisë në rajon është përkeqësuar dhe sulmet e Huthëve në Arabinë Saudite janë intensifikuar. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se anijet e misionit kanë rritur nivelin e gatishmërisë, ndërsa vazhdojnë misionet për shoqërimin dhe mbrojtjen e lundrimit tregtar në Detin e Kuq.
“Sulmet e Huthëve ndaj Arabisë Saudite janë të papranueshme dhe dëmtojnë ekonominë globale”, shkroi Kallas në rrjetin social X, duke shtuar se kishte biseduar me ministrin e Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan.
“Evropa po ndihmon në mbrojtjen e transportit detar në Detin e Kuq nga sulmet e Huthëve. Duke pasur parasysh përkeqësimin e situatës së sigurisë, Operacioni ASPIDES i BE-së ka rritur nivelin e gatishmërisë së anijeve të tij, ndërsa vazhdon detyrat e shoqërimit”, shtoi ajo.
Vendimi vjen pas përshkallëzimit të konfliktit mes Huthëve në Jemen dhe Arabisë Saudite. Vetë Bashkimi Evropian dënoi më 17 shtator fushatën ushtarake të Huthëve dhe sulmet ndaj territorit saudit, duke përfshirë edhe një sulm të fundit që synoi Mekën. BE-ja deklaroi se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë të papranueshme dhe bëri thirrje për ndalimin e veprimeve ushtarake./mxh
