Dy persona kanë humbur jetën dhe të paktën 17 janë plagosur ndërsa Rusia dhe Ukraina vazhdojnë të godasin njëra-tjetrën në infrastrukturën energjetike, pas prishjes së “armëpushimit energjetik” jetëshkurtër të shpallur në mënyrë të njëanshme nga Donald Trump.
Siç shkruan The Guardian, një person u vra dhe 15 u plagosën gjatë natës, pasi Ukraina përdori mbi 1 mijë dronë për të shënjestruar depot e naftës, objektet logjistike dhe qendrat e të dhënave në Rusi, në një nga bombardimet ajrore më të mëdha të saj.
Guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, tha të dielën se gjatë natës kishin shpërthyer zjarre në terminalin e naftës së qytetit, një depo nafte dhe magazina industriale. Një qendër logjistike e shitësit rus Ozon dhe një qendër të dhënash e kompanisë lokale VK u goditën gjithashtu, gjë që u konfirmua nga të dyja kompanitë.
Alexander Drozdenko, guvernatori i rajonit të Leningradit që rrethon Shën Petersburgun, tha se 145 dronë ishin rrëzuar dhe rreth 20 mijë persona kishin mbetur pa energji elektrike pas sulmit. “Një sulm i gjerë me mjete ajrore pa pilot po vazhdon të zmbrapset”, shkroi ai në Telegram. Ndërkohë, zyrtarët lokalë në qytetin jugor ukrainas Zaporizhia thanë se sulmet ruse kishin vrarë një grua dhe plagosur të paktën dy persona të tjerë, përfshirë një vajzë 6-vjeçare. Dy pallate, 18 makina dhe një institucion arsimor ishin dëmtuar nga sulmi, sipas Mykhailo Semikin, kreut të administratës ushtarake rajonale të Zaporizhias.
Tensionet po thellohen mes Kievit dhe Washington-it, me presidentin amerikan që kritikoi Ukrainën për goditjet ndaj infrastrukturës së naftës ruse, pavarësisht agresionit të vazhdueshëm rus.
Trump shpalli një “armëpushim energjetik” javën e kaluar, të cilin asnjëra palë nuk e kishte pranuar paraprakisht, e që dështoi shpejt pasi Moska vazhdoi sulmet ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës dhe Kievi rifilloi goditjet ndaj rafinerive të naftës në Rusi.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se njësitë e mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar 1 mijë e 15 dronë ukrainas në mbarë vendin gjatë natës. Agjencia Tass citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili tha se Rusia po përgjigjet me goditje sistematike dhe në shkallë të gjerë.
“Regjimi i Kievit po reziston, por kjo nuk mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve”, tha ai, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi reagimin e Rusisë ndaj sulmit të Kievit në Shën Petersburg.
Të shtunën, Rusia tha se kishte kryer një sulm të madh gjatë natës, duke shënjestruar uzinën më të madhe të çelikut të Ukrainës në qytetin Kryvyi Rih dhe anijet që përdorin portin e Odesës. Në një deklaratë, ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj kishin goditur gjithashtu një nënstacion elektrik në qytetin veriperëndimor Zhytomyr dhe një tjetër uzinë çeliku në Zaporizhia.
Në përpjekjen më të fundit të administratës Trump për të ulur tensionet me Rusinë, presidenti amerikan njoftoi të premten se do të vendoste pezullimin e një pakete të gjerë sanksionesh që synonte ekonominë ruse, duke i thënë Kongresit se pauza mbi legjislacionin e miratuar nga të dyja dhomat ishte në interesin kombëtar.
Trump ende nuk ka dhënë detaje mbi atë që ka vendosur lidhur me sanksionet e mëtejshme ndaj Rusisë.
“Do ta kuptojmë dhe ju do ta kuptoni”, u tha ai gazetarëve në një darkë për mbledhje fondesh në rezidencën e tij në Florida të shtunën. “Por është një vendim shumë i mirë, dhe do të jetë një vendim i mirë për vendin, dhe mendoj i mirë për botën”.
Në një postim në X të dielën, Zelenskyy tha se gjatë javës që nga shpallja e “armëpushimit energjetik” nga Trump, Rusia kishte sulmuar sektorët e energjisë, naftës dhe gazit të Ukrainës 76 herë.
Ai shtoi se vetëm gjatë natës së kaluar, objektet energjetike në katër rajone të Ukrainës ishin sulmuar dhe dhjetëra mijëra familje ende ishin pa energji elektrike. Ai akuzoi Rusinë se po përpiqej të shkaktonte një ndërprerje totale të energjisë./mxh
