Last Updated on 11/11/2025 by Monika
Britania e Madhe nuk po ndan më informacione të inteligjencës me Shtetet e Bashkuara për anijet e dyshuara për trafik droge në Karaibe, pasi nuk dëshiron të bëhet bashkëpërgjegjëse për sulmet ushtarake amerikane që konsideron të paligjshme, raportoi CNN, duke iu referuar burimeve të njohura me çështjen.
Ky vendim përbën një shkëputje të rëndësishme nga një prej aleatëve dhe partnerëve më të ngushtë të inteligjencës së Londrës dhe nënvizon skepticizmin në rritje për ligjshmërinë e fushatës ushtarake amerikane në rajonin e Amerikës Latine.
Për vite me radhë, Mbretëria e Bashkuar, e cila zotëron disa territore në Karaibe ku mban asete të inteligjencës, ka bashkëpunuar me SHBA për të gjurmuar anije të dyshuara për trafikim narkotikësh. Informacionet e mbledhura zakonisht i përcilleshin Joint Interagency Task Force South, një task-forcë e vendosur në Florida që përfshin përfaqësues nga disa vende partnere dhe synon të zvogëlojë tregtinë e paligjshme të drogës.
Në bazë të këtij bashkëpunimi, inteligjenca britanike ka ndihmuar që Roja Bregdetare e SHBA të ndërhynte ndaj anijeve të dyshuara, duke i ndaluar, kontrolluar, arrestuar ekuipazhet dhe sekuestruar ngarkesat e drogës.
Sipas burimeve të cituara nga CNN, autoritetet britanike janë bërë gjithnjë e më të shqetësuara për mënyrën se si SHBA po përdor informacionin e inteligjencës për të kryer sulme ushtarake ndaj objektivave të dyshuara, duke vlerësuar se këto veprime mund të jenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Për këtë arsye, Londra ka pezulluar ndarjen e çdo informacioni që mund të çojë në aksione të tilla.
Ky qëndrim shënon një ndryshim të dukshëm në qasjen e Britanisë ndaj bashkëpunimit të sigurisë me Uashingtonin dhe reflekton një tension të ri brenda marrëdhënieve të tyre strategjike në fushën e inteligjencës dhe operacioneve ndërkombëtare kundër trafikut të drogës./ MXH
