Një sulm i pazakontë kibernetik ka goditur qindra supermarkete në Francë, duke nxehur frigoriferët dhe ngrirësit deri në 50 gradë Celsius e, në disa raste, edhe më lart. Si pasojë, sasi të mëdha ushqimesh të freskëta dhe produkte të ngrira janë prishur, ndërsa në disa pika janë raportuar edhe zjarre.
Sulmi u konstatua gjatë natës mes 11 dhe 12 tetorit dhe preku disa prej rrjeteve më të mëdha të shitjes me pakicë në vend, përfshirë Intermarché, Carrefour, Monoprix, Coopérative U dhe E.Leclerc. Sipas raportimeve, qindra dyqane u prekën nga ndërhyrja, ndërsa vetëm rrjeti Intermarché raportoi dëme në rreth 150 pika.
Si arritën hakerat të nxehin frigoriferët?
Sipas të dhënave paraprake, sulmuesit ndërhynë në sistemet digjitale që kontrollojnë pajisjet e ftohjes dhe aktivizuan nga distanca procesin e shkrirjes së akullit, duke ndryshuar temperaturat. Këto sisteme mund të monitorohen dhe kontrollohen përmes internetit, çka i ekspozon ndaj sulmeve nëse nuk mbrohen siç duhet.
Dëmet financiare pritet të jenë të konsiderueshme, pasi supermarketet e prekura janë detyruar të hedhin produktet që nuk garantonin më sigurinë ushqimore. Drejtues të sektorit e kanë cilësuar ngjarjen si një sulm serioz ndaj zinxhirit të furnizimit me ushqime.
Prokuroria e Parisit ka hapur një hetim, ndërsa Agjencia Kombëtare Franceze e Sigurisë Kibernetike po punon për të zbardhur mënyrën e ndërhyrjes dhe për të vlerësuar nëse mund të preken edhe biznese të tjera. Autoritetet franceze po bashkëpunojnë gjithashtu me partnerët evropianë, pasi janë ngritur shqetësime për incidente të ngjashme në vende të tjera./ad
