Last Updated on 11/11/2026 by Monika
Autoritetet amerikane kanë zbardhur detaje të reja mbi tentativën e sulmit të parandaluar në shtator ndaj bazës së Forcave Ajrore Mbretërore britanike në Fairford, e cila përdoret edhe nga ushtria amerikane.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, komploti ishte koordinuar pjesërisht nga një person me shtetësi të dyfishtë iraniane dhe irakiane, i cili në atë kohë ndodhej në një burg në New York.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza ndaj tre personave për përfshirjen e tyre në afro 20 sulme dhe tentativa sulmesh në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe komplotin kundër bazës ushtarake në Fairford.
Njëri prej të akuzuarve, Mohammad Baqer Saad Dawood al-Saadi, dyshohet se ka tentuar të koordinohej me dy personat e tjerë, irakianin Mohammad Ali al-Hassani dhe iranianin Mohsen Mohajeri, të cilët ndodheshin në Iran në kohën e planifikimit të sulmit.
Sipas dokumenteve të publikuara nga autoritetet amerikane, al-Saadi përdorte mesazhe të koduara, të përcjella përmes personave të tretë, për të komunikuar me bashkëpunëtorët e tij, ndërsa ndodhej në paraburgim në pritje të gjykimit për akuza të lidhura me terrorizmin në Distriktin Jugor të Nju Jorkut.
Prokuroria amerikane pretendon se ai përdorte telefonatat me familjarët e tij në Irak për të përcjellë udhëzime të koduara drejt Mohajerit dhe al-Hassanit, në ditët para komplotit kundër bazës britanike.
Sipas aktakuzës, rreth datës 24 shtator, al-Saadi i kërkoi një familjari të tij të kontaktonte al-Hassanin dhe t’i jepte para. Vetëm tri ditë më vonë, sipas autoriteteve amerikane, al-Hassani organizoi komplotin terrorist ndaj bazës së Fairford.
Dy të dyshuarit e tjerë ndodheshin në Iran në momentin e planifikimit të sulmit, ndërsa hetimet amerikane synojnë të zbardhin të gjithë rrjetin e personave të përfshirë në sulmet dhe tentativat e regjistruara në Evropë dhe SHBA.
Pretendimet janë paraqitur në dokumentet e akuzës të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë./mxh
