Last Updated on 18/08/2025 by adminfjala
Në Shqipëri, çdo herë që bujqësia dhe blegtoria ngrenë kokë, mediat e paguara nxjerrin “skandale” të rreme. Mjafton një lajm i fabrikuar, një video e shkëputur nga konteksti apo një raport i sajuar për të vënë në shënjestër mundin e qindra fermerëve e blegtorëve.
Në vend që të inkurajojmë djersën e fshatarit dhe sipërmarrjen e ndershme, vazhdojmë ta gjykojmë me shkopin e paragjykimit dhe shpifjes.
Këto sulme nuk janë rastësore. Ato bëhen me qëllim. Sepse çdo litër qumësht i prodhuar në Shqipëri, çdo kasolle që ngrihet me djersë në mal, është një kërcënim për faqezinjtë që duan ta shohin Shqipërinë në rënie dhe të fitojnë vetëm për vete.
Dhe për të mbrojtur interesat e grupeve të caktuara, disa media pranojnë të shiten lirë: baltosin, shpifin, madje shpikin akuza pa asnjë provë. Ky është gjobëvënie moderne, jo me letra e vulë, por me tituj e lajme.
Po bizneset e ndershme, çfarë faji kanë? Ato përballen me koston e prodhimit, konkurrencën e padrejtë dhe goditjen e padrejtë publike. Ndërkohë që fermeri shqiptar zgjohet para agimit për të vaditur tokën apo për të ushqyer bagëtinë, një portal i blerë me para të pista ia hedh mundin poshtë në pak minuta. Dhe kjo nuk është thjesht padrejtësi; është krim moral ndaj ekonomisë vendase.
Po ku është shteti? A nuk është detyrë e institucioneve të mbrojnë tregun e brendshëm, fermerin vendas dhe konsumatorin shqiptar nga shpifjet e orkestruara? A nuk ka ligje për dezinformimin dhe gjobëvënien mediatike? Heshtja e shtetit është edhe pak bashkëfajësi. Një shtet që mbyll sytë përballë këtij fenomeni është një shtet që i lë rrënjët e vendit në mëshirë të tregut të huaj.
Duhet thënë hapur: një komb që nuk mbron prodhimin e vet, nuk ka të ardhme. Një shoqëri që nuk i jep dorë fermerit të vet, është e destinuar të jetojë me import dhe varësi. Media që vret moralin e punëtorit të tokës nuk është e lirë, por është e kapur. Politika që hesht nuk është neutrale, por e nënshtruar. Ky realitet duhet pranuar përpara se të jetë vonë.
Dhe sot, pyetja më e drejtë dhe më e domosdoshme është kjo: ku është shteti? Ku është kur fermeri baltoset, kur biznesi i ndershëm gjobitet, kur tregu i brendshëm shkatërrohet nga shpifjet? Sepse nëse nuk ka shtet për të mbrojtur prodhimin vendas, atëherë s’ka as shtet për të mbrojtur qytetarin. m.p.
