Last Updated on 24/04/2026 by Monika
Bllagoje Spasojeviç dhe Vlladimir Tolliç u dënuan me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërkaq Dushan Makismoviç u dënua me 30 vjet burgim.
Në shpalljen e aktgjykimit për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, kur u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i pranishëm ishte vetëm Dushan Makismoviç.
Kosova e ka karakterizuar sulmin si akt terrorizmi dhe e ka akuzuar Serbinë për përfshirje – por Beogradi i ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve në Prishtinë.
Tre të akuzuarit janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Millan Radoiçiçin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.
Gjykata vendosi ta veçonte procedurën penale ndaj Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë.
Për çka akuzohen të dyshuarit?
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit dyshohet se, përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, kishin tentuar ta shkëpusnin pjesën veriore të Kosovës, për t’ia bashkuar Serbisë, me ç’rast ishte vrarë polici Bunjaku, ishte plagosur nga armë zjarri polici tjetër Alban Rashiti, ndërsa ishin lënduar policët Çlirim Sahiti, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi, por ishte rrezikuar edhe jeta e policëve të tjerë dhe e popullatës civile.
Për këto veprime, të njëjtit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
I akuzuari si udhëheqës i të dyshuarve për sulmin në Banjskë, Radoiçiç, dyshohet se nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura përmes një grupi të strukturuar, për t’i përdorur për armatim, logjistikë dhe financim të pjesëtarëve, me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Për këto veprime të dyshuara, ai akuzohet për lehtësim dhe financim të terrorizmit.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, dyshohet se, me ndihmën e njërit nga të akuzuarit, Radulle Steviç, si dhe bizneseve të tij, Radoiçiç ka konvertuar të ardhura nga aktiviteti kriminal në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, duke i transferuar edhe te persona të tretë, për të fshehur origjinën e tyre. Për këtë pjesë, ai akuzohet për shpëlarje parash./mxh
