Magjia e Krishtlindjeve ka mbërritur në shtëpinë e modës Gucci, e cila ka prezantuar fushatën e saj festive për vitin 2026. Për këtë projekt, marka italiane ka zgjedhur Mariah Carey-n, një prej figurave më të lidhura me sezonin e festave, falë këngës së saj ikonike “All I Want for Christmas Is You”.
Fushata mban emrin “Gucci Gift” dhe sjell një histori ku ndërthuren luksi, muzika dhe atmosfera karakteristike e dhjetorit. E realizuar nën regjinë e Harmony Korine, reklama na çon në një hotel luksoz, ku të gjithë janë përfshirë në përgatitjet për një mbrëmje të veçantë. Ambientet e zbukuruara, pemët e Krishtlindjeve dhe dhuratat krijojnë skenën festive, ndërsa pritet mbërritja e të ftuarës kryesore.
Mariah Carey është në qendër të kësaj atmosfere, duke u shfaqur me veshje nga koleksioni “Butterfly”, i krijuar në bashkëpunim me Gucci-n. Frymëzimi vjen nga flutura, simbol i rëndësishëm në identitetin artistik të këngëtares, por edhe nga albumi i saj me të njëjtin emër, i publikuar në vitin 1997.
Krahas historisë festive, fushata prezanton edhe alternativat e Gucci-t për dhuratat e këtij sezoni. Në koleksion përfshihen çanta, këpucë, çizme, mokasina, atlete dhe aksesorë të ndryshëm, të menduar për t’iu përshtatur edhe ditëve të ftohta të dimrit.
Mes modeleve që spikasin janë çantat Starlet, Gucci Duffle dhe GG Marmont, si dhe modeli Paparazzo prej kamoshi. Krijimet prezantohen në një frymë që ndërthur elegancën e luksin me atmosferën e ngrohtë të festave.
Përmes kësaj fushate, Gucci sjell një tjetër kombinim mes modës dhe kulturës pop, duke zgjedhur Mariah Carey-n për të përfaqësuar koleksionin festiv dhe për të sjellë në vëmendje propozimet e markës për Krishtlindjet e këtij viti./MXH
