Last Updated on 16/04/2026 by Anisa
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti në fillim të seancës plenare shqetësimin për mungesën e transparencës në procesin e integrimit europian, duke kërkuar sërish zhvillimin e një debati parlamentar të plotë dhe të hapur mbi këtë çështje.
Në fjalën e saj për procedurë, Tabaku theksoi se procesi i negociatave me Bashkimin Europian nuk mund të trajtohet si një proces teknik i mbyllur, por si një proces thellësisht politik dhe me interes kombëtar, ku qytetarët duhet të informohen dhe të përfshihen. Ajo vuri në dukje se, ndryshe nga praktikat e vendeve të tjera të rajonit, si Serbia, ku pozicionet negociuese publikohen dhe diskutohen, në Shqipëri mungon çdo informacion për publikun dhe për vetë deputetët.
Sipas saj, prej javësh opozita ka kërkuar transparencë dhe informim mbi ecurinë e negociatave, por pa marrë asnjë përgjigje konkrete nga qeveria. Tabaku nënvizoi se Parlamenti nuk ka informacion mbi detyrimet ndërmjetëse, afatet ligjore apo pozicionet negociuese të vendit, ndërsa opozita mbetet tërësisht jashtë këtij procesi.
“Ky nuk mund të jetë një proces që zhvillohet me prezantime PowerPoint. Është një proces politik dhe qytetarët shqiptarë duhet të dinë se çfarë po negociohet në emër të tyre,” u shpreh ajo.
Në vijim të fjalës së saj, Tabaku ngriti pikëpyetje konkrete mbi disa çështje të ndjeshme që lidhen drejtpërdrejt me standardet europiane dhe procesin e integrimit. Ajo përmendi ligjin për portet turistike strategjike, për të cilin opozita ka ngritur shqetësime për mungesë gare dhe cenim të konkurrencës, duke pyetur nëse këto tema janë reflektuar në diskutimet e negociatave me Bashkimin Europian.
Po ashtu, deputetja demokrate solli në vëmendje edhe projektet e lidhura me Porto Romanon, duke kërkuar transparencë mbi mënyrën se si këto iniciativa janë trajtuar në raport me rregullat dhe standardet e BE-së për konkurrencën dhe zhvillimin ekonomik.
Një tjetër element i ngritur prej saj lidhej me zhvillimet politike dhe institucionale në vend, përfshirë rastin e mosvotimit të heqjes së imunitetit për zëvendëskryeministren, çështje që sipas saj prekin drejtpërdrejt shtetin e së drejtës dhe duhet të jenë pjesë e vlerësimit në procesin e integrimit.
Sipas Tabakut, të gjitha këto nuk janë çështje të izoluara, por pjesë e një panorame më të gjerë që lidhet me mënyrën se si Shqipëria përmbush standardet europiane. Për këtë arsye, ajo theksoi se mungesa e debatit dhe e transparencës e dëmton seriozisht besueshmërinë e procesit.
Deputetja e PD i bëri thirrje Kryetarit të Kuvendit që të ushtrojë rolin e tij institucional dhe të garantojë informimin e Parlamentit dhe përfshirjen e opozitës, duke e cilësuar këtë si një detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj vetë procesit të integrimit.
Në përfundim, Tabaku ritheksoi se integrimi europian mbetet një objektiv strategjik kombëtar, por kërkon përgjegjshmëri, transparencë dhe gjithëpërfshirje politike për të qenë një proces i besueshëm dhe i qëndrueshëm.
