Last Updated on 07/09/2026 by EL
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar për konfliktin pronësor në Vlorë, duke ia faturuar përgjegjësinë qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se, gjatë tri ditëve të fundit, shqiptarët kanë dëgjuar vetëm gjysmë të vërteta, ndërsa është shmangur, sipas saj, e vërteta kryesore: institucionet shtetërore kanë dhënë dy leje të ndryshme, për dy persona, mbi të njëjtën pronë.
“Përgjegjësi është shteti, qeveria dhe kryeministri, i cili ka dhënë dy leje të ndryshme: një për investim strategjik dhe një për zhvillimin e pronës, për të njëjtën tokë dhe për dy persona të ndryshëm”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate ngriti pyetjen se si kanë mundur institucionet të përfundojnë dy procedura të plota për dhënien e lejeve të ndërtimit mbi të njëjtën pronë. Sipas saj, përgjegjësia nis nga hipoteka dhe shkon deri në nivelet më të larta të qeverisë.
Tabaku e cilësoi vendimin për ta shpronësuar pronën dhe për ta kthyer zonën në ullishte si një përpjekje për të shmangur zbardhjen e përgjegjësive administrative.
“Nuk ka asnjë ullishte që mund t’ia lajë duart qeverisë nga korrupsioni i kryer në këtë rast, nga hipoteka deri më lart, në Kryeministri”, theksoi ajo.
Duke u ndalur te problematika e pronave në Shqipëri, Tabaku deklaroi se qytetarët presin prej vitesh dhe paguajnë miliona lekë në taksa e ryshfete për të regjistruar pronën e tyre, ndërsa sistemi shtetëror vijon të prodhojë pasiguri dhe konflikte.
Sipas saj, rasti i Vlorës është një shembull i qartë i kaosit me pronësinë dhe i dështimit të institucioneve për të garantuar siguri juridike.
“Dëgjojmë vetëm retorikë dhe propagandë, pa u kryer një hetim administrativ, pa u identifikuar përgjegjësit dhe pa u nxjerrë ata përpara përgjegjësisë. Nuk mund të kemi shtet ligjor pa respektuar pronën”, përfundoi Tabaku./et
