Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar përkeqësimin e kostos së jetesës dhe rritjen e papërballueshme të çmimeve të banesave, duke deklaruar se familjet shqiptare po mbeten pothuajse pa asnjë hapësirë financiare për shëndetin, arsimimin e fëmijëve apo kursimet.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku thekson se një banesë standarde në Tiranë kushton sot sa 18–20 vite të ardhura të plota të një familjeje.
“Jo 20 vite jetë normale, por 20 vite të ardhura të plota — sikur familja të mos kishte për të paguar ushqimin, shëndetin, shkollimin e fëmijëve apo kujdesin për prindërit”, shkruan ajo.
Sipas deputetes demokrate, situata është po aq e rëndë edhe për familjet që jetojnë me qira. Një familje me dy paga mesatare mund të shpenzojë rreth 40% të të ardhurave bruto dhe pothuajse gjysmën e të ardhurave neto vetëm për qiranë e një apartamenti. Ndërkohë, ushqimet bazë zënë rreth 40% të buxhetit të konsumit.
“Çfarë mbetet për kujdesin shëndetësor, për fëmijët, për prindërit e moshuar, për kursimet apo për disa ditë pushime familjare? Pothuajse asgjë”, shprehet Tabaku.
Ajo e lidh krizën e përballueshmërisë jo vetëm me rritjen e çmimeve, por me deformimin e tregut nga monopolet, informaliteti, klientelizmi dhe ligjet që, sipas saj, favorizojnë një pakicë të lidhur me pushtetin.
“E gjithë kjo nuk ka të bëjë aspak me një treg të lirë që drejtohet nga kërkesa dhe oferta. Shqipëria e këtij sistemi socialist është një treg i deformuar nga informaliteti, monopolet, klientelizmi dhe mungesa e konkurrencës së ndershme”, deklaron deputetja e PD-së.
Tabaku ngre gjithashtu shqetësimin për ndikimin e parave të pista në tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas saj, paratë që burojnë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë krijuar një treg të pandershëm, kanë rritur artificialisht çmimet e banesave dhe po tjetërsojnë jetën urbane në Tiranë.
Deputetja demokrate e vendos përgjegjësinë politike te qeverisja socialiste, e cila, sipas saj, ka ndërtuar një sistem privilegjesh për një pakicë, ndërsa shumica e qytetarëve dhe veçanërisht shtresa e mesme përballojnë barrën më të rëndë të taksave dhe të kostos së jetesës.
“Familjet shqiptare shpenzojnë 80% të të ardhurave të tyre për ushqimet dhe qiranë, ndërsa duhet të japin vlerën e 20 viteve të ardhura për një apartament prej 70 metrash katrorë. Ky sistem po shkatërron të ardhmen e vendit dhe po e bën gjithnjë e më të pamundur jetën e familjeve shqiptare”, përfundon Tabaku./kb
