Taipei ka zhvilluar të premten, më 26 dhjetor, një stërvitje sigurie, pas sulmit vdekjeprurës të javës së kaluar në qendër të qytetit, ku humbën jetën tre persona.
Ushtrimi u organizua në prag të festimeve të Vitit të Ri dhe fishekzjarreve tradicionale, duke simuluar tre skenarë të ndryshëm emergjence. Mes tyre ishin një sulm me mjete zjarrvënëse në një stacion metroje dhe një sulm i armatosur pa dallim në një qendër transporti urban dhe në një qendër tregtare.
Një banor i Taipeit, Chuang, mësues me profesion, i cili ndoqi nga afër një pjesë të stërvitjes, u shpreh se simulimi ishte i realizuar mirë dhe përmbushi pritshmëritë e qytetarëve. Ai tha se ngjarja e 19 dhjetorit kishte rritur shqetësimet për sigurinë, por ushtrimi i së premtes i dha besim se autoritetet po e marrin seriozisht mbrojtjen e publikut.
Kryebashkiaku i Taipeit, Chiang Wan-an, duke iu drejtuar zjarrfikësve dhe pjesëmarrësve në stërvitje, deklaroi se ky ishte vetëm një nga tre ushtrimet e planifikuara përpara festimeve të Vitit të Ri Hënor në muajin shkurt.
Sulmi i 19 dhjetorit u krye nga një 27-vjeçar, i cili fillimisht krijoi panik në stacionin kryesor të trenit të qytetit dhe më pas u zhvendos drejt një qendre tregtare pranë një stacioni metroje, duke sulmuar kalimtarë gjatë rrugës. Autori humbi jetën gjatë ndjekjes nga policia.
Autoritetet lokale kanë theksuar se masat e sigurisë do të forcohen në ditët në vijim, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve dhe sigurinë e qytetarëve./mxh
