Last Updated on 05/01/2026 by Klara
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA-të mund të kryejnë sulme të reja në Venezuelë nëse qeveria e atjeshme nuk bashkëpunon. Kjo deklaratë erdhi pak para se Nicolas Maduro të dalë sot para një gjykate në Nju Jork, pas kapjes së tij bujshme nga forcat amerikane gjatë fundjavës.
Gjatë rrugës për në Uashington, Trump përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë për të treguar se kush vendos tani.
“Ne po marrim mbrapsht atë që ata na vodhën. Tani ne kemi kontrollin”, tha Trump, duke iu referuar industrisë së naftës dhe pasurive të Venezuelës.
Ai shtoi se kompanitë amerikane të naftës do të kthehen atje për të rindërtuar industrinë dhe për të nxjerrë naftën nga nëntoka, duke investuar miliarda dollarë.
Trump nuk u mjaftua me Venezuelën. Ai paralajmëroi se mund të ndërhyjë ushtarakisht edhe në Kolumbi dhe Meksikë nëse këto shtete nuk ndalojnë trafikun e drogës.
Për Kubën, ai u shpreh se regjimi komunist atje “duket gati për t’u rrëzuar vetë”.
Nicolas Maduro, 63 vjeç, u kap të shtunën në Karakas gjatë një operacioni ushtarak që la botën pa fjalë.
Ai akuzohet për “narko-terrorizëm” dhe bashkëpunim me kartelet e drogës për të dërguar kokainë në SHBA. Bashkë me të u arrestua edhe gruaja e tij, Cilia Flores.
Sot, Maduro do të dalë para një gjykatësi federal në Manhattan. Edhe pse zyrtarët amerikanë thonë se ky është një operacion i “zbatimit të ligjit”, vetë Trump pranoi se ndërhyrja u bë edhe për shkak të krizës së emigrantëve dhe naftës.
Në Karakas, nënkryetarja Delcy Rodriguez ka marrë drejtimin e përkohshëm dhe ka refuzuar pretendimet e Trump se ajo po bashkëpunon me Amerikën. Ajo e quajti arrestimin e Maduros një “rrëmbim të paligjshëm”./K.M
