Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka reaguar ndaj tarifave të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump, duke i cilësuar ato të dëmshme për të gjitha palët e përfshira.
Merz njoftoi se do të zhvillojë një takim me Trump në Shtëpia e Bardhë, ku synon të theksojë se tarifat tregtare cenojnë interesat ekonomike si të Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe të Bashkimit Evropian.
Sipas kancelarit gjerman, përtej ndikimit të drejtpërdrejtë ekonomik, një tjetër pasojë e rëndësishme është pasiguria që krijon politika aktuale amerikane në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë, ministri francez për Tregtinë e Jashtme deklaroi se Franca është në konsultime të vazhdueshme me shtetet e tjera anëtare dhe me Komisionin Evropian për të koordinuar një qëndrim të përbashkët.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian disponon instrumente për t’iu kundërpërgjigjur masave amerikane, përfshirë mekanizma anti-shtrëngues si kontrollet e eksportit, vendosjen e tarifave ndaj shërbimeve, si dhe përjashtimin e kompanive amerikane nga kontratat e prokurimit publik të BE-së.
Sipas tij, BE-ja ka gjithashtu të pezulluar një paketë kundërmasash që përfshin mallra amerikane me vlerë mbi 90 miliardë euro, e cila mund të aktivizohet nëse situata përshkallëzohet.
Gazeta Financial Times, duke cituar zyrtarë francezë, raportoi se përgjigjja e BE-së mund të përfshijë edhe përdorimin e asaj që njihet si “bazuka tregtare”, një instrument i posaçëm kundër shtrëngimit ekonomik, që mund të prekë veçanërisht kompanitë amerikane të teknologjisë./mxh
