Të gjithë sytë ishin te Jennifer Lopez, por një burrë pranë saj arriti t’ia “vjedhë” vëmendjen yllit të Hollywood-it. Bodyguard-i me flokët e thinjur është bërë viral pas pamjeve nga Milano.
Bëhet fjalë për bodyguard-in e saj prej kohësh, i cili u bë viral pasi u filmua duke e shoqëruar Lopez mes turmës së fansave në Milano. Në një prej momenteve që ka marrë më shumë vëmendje, Jennifer shihet duke i mbajtur dorën ndërsa ai e ndihmon të kalojë mes njerëzve që ishin mbledhur për fotografi dhe autografe.
Pamjet mjaftuan që rrjetet sociale të nisnin “hetimin” e tyre dhe bodyguard-i u pagëzua nga komentuesit si “hunky silver fox”, për shkak të fizikut të tij shumë të kuruar dhe flokëve të thinjur.
Në videot e publikuara online, Lopez shihet teksa zbret nga një makinë e zezë dhe përpiqet të kalojë mes fansave, ndërsa bodyguard-i qëndron pranë saj dhe kujdeset që ajo të lëvizë e sigurt. Një tjetër moment që ka tërhequr vëmendjen është ai kur ai e mban dorën e këngëtares për ta ndihmuar të ecë mes turmës.

Dhe duket se ky nuk është thjesht një episod i rastësishëm. Ai është parë në shumë raste të tjera pranë Jennifer Lopez dhe duket se është pjesë prej kohësh e ekipit të saj të sigurisë.
Deri tani, nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë për një lidhje romantike mes tij dhe Jennifer Lopez. Komentet për një “romancë” mes tyre duket se kanë nisur vetëm nga fansat, të cilët kanë marrë me shumë humor pamjet e dyshes në Milano.Madje, në fotot dhe videot e fundit ai shihet me një unazë martese në gisht.

Megjithatë, vëmendja ndaj tij nuk është ndalur vetëm te pamja. Në një tjetër video virale, bodyguard-i shihet duke i mbajtur çadrën Jennifer Lopez-it gjatë shiut, duke e ndihmuar me vendin ku do të ulej dhe madje duke i rregulluar edhe bishtin e fustanit në mënyrë që ajo të lëvizte pa pengesa.
Pra, ndërsa Jennifer Lopez vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së fotografëve dhe fansave gjatë qëndrimit në Milano, bodyguard-i i saj ka arritur të fitojë një “fanbase” të papritur.

Ndërkohë, jeta sentimentale e Jennifer Lopez vazhdon të jetë një tjetër temë e komentuar. Këngëtarja është ndarë nga Ben Affleck në vitin 2024 dhe ka deklaruar se nuk ka dalë në takime që prej kërkesës për divorc. Affleck, nga ana tjetër, ka folur me shumë respekt për ish-bashkëshorten, duke e cilësuar atë si një person jashtëzakonisht të rëndësishëm në jetën e tij dhe duke theksuar marrëdhënien e mirë që ajo ka me fëmijët e tij./mxh
