Last Updated on 27/10/2026 by Anisa
Iris Luarasi ka reaguar për përfshirjen e të miturve në protestat e dhunshme, duke ngritur shqetësimin për pasojat që mund të përballen fëmijët, ndërsa organizatorët dhe nxitësit e protestave, sipas saj, qëndrojnë larg rrezikut.
Në reagimin e saj, Luarasi sjell në vëmendje rastin e Francës, ku sipas saj, mijëra të mitur janë ndaluar gjatë protestave të javëve të fundit dhe mbi 1.400 prej tyre po ndiqen penalisht. Ajo thekson se pasojat më të rënda bien mbi të rinjtë dhe familjet e tyre, ndërsa ata që i nxisin të dalin në vijën e parë të përballjes mbeten të sigurt.
“Të këputet shpirti kur sheh fëmijë aq të vegjël që do vuajnë dënimin e tyre për vite, ndërsa ata që i fusin në vijën e parë të sulmit janë të sigurt pas kamerave dhe në studio televizive. Kush nuk ka kurajë të dalë vetë përpara, por nxjerr aty fëmijët e të tjerëve, nuk ka të drejtë të flasë për të ardhmen e këtij vendi”, shprehet Luarasi.
Ajo nënvizon se çmimin e përfshirjes së të miturve në situata të dhunshme e paguajnë vetë fëmijët dhe familjet e tyre, ndërsa në studiot televizive ata mund të cilësohen si heronj.
“Pasojat nuk i paguajnë organizatorët. I paguan djali në spital, I paguan nëna që pret te dera e komisariatit. Në darkë, ata që i nxjerrin të miturit në rrugë i quajnë ‘heronj’ në studio. Por fëmijët e tyre nuk janë kurrë në vijën e parë”, shkruan ajo.
Luarasi thekson se protesta është një e drejtë kushtetuese, të cilën e ka mbrojtur gjithmonë, por sipas saj, kjo e drejtë nuk mund të përdoret si justifikim për përfshirjen e të miturve në akte dhune.
Ajo e lidh këtë fenomen edhe me faktorë të tjerë shoqërorë, si ndikimi i rrjeteve sociale, mungesa e prindërve në jetën e fëmijëve, përdorimi i zgjatur i lojërave elektronike dhe një sistem arsimor që, sipas saj, nuk i kushton vëmendjen e duhur edukimit.
“Protesta është e drejtë kushtetuese dhe e kam mbrojtur gjithmonë. Por e drejta për të protestuar nuk përfshin të drejtën për të përdorur të miturit si mburojë. Këta djem janë edhe pasqyrë e shoqërisë që u kemi lënë me rrjete sociale të dhunshme, play station me orë të tëra, prindër që mungojnë, shkolla që japin dije por jo edukim, dhe pak mundësi për t’u ndjerë të dobishëm. Për këtë, përgjegjësia është e të gjithëve. Por përgjegjësia për t’i futur në vijën e parë të dhunës dhe djegies ka emër dhe mbiemër. Dhe nuk është e tyre, por e atyre që aspirojnë të vijnë në pushtet përmes dhunës”, shprehet ajo.
Në përfundim, Luarasi kërkon që personat që nxisin të miturit drejt dhunës të mbajnë përgjegjësi penale dhe politike, duke theksuar se fëmijët nuk duhet të bëhen pjesë e përplasjeve për ambicie politike./ad
Iris Luarasi:
