Last Updated on 23/07/2026 by Monika
Më shumë se një e treta e emetimeve globale të gazeve serrë të shkaktuara nga njeriu lidhen me sistemet ushqimore. Megjithatë, jo të gjitha grupmoshat ndikojnë njësoj. Një studim i publikuar në Nature Food tregon se adoleshentët dhe të rinjtë kanë dietat me ndikimin më të madh mjedisor për person, ndërsa rritjen më të madhe të emetimeve totale e shkakton një grup tjetër: të moshuarit.
Studimi, i udhëhequr nga Universiteti i Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar, analizoi zakonet ushqimore në 149 vende dhe 22 grupmosha gjatë periudhës 2000–2019.
Rezultatet tregojnë se adoleshentët (11–19 vjeç) dhe të rinjtë (20–29 vjeç) prodhojnë më shumë emetime të gazeve serrë për frymë, kryesisht për shkak të konsumit të lartë të mishit, produkteve të bulmetit dhe ushqimeve ultra të përpunuara.
Megjithatë, rritja e përgjithshme e emetimeve nga ushqimi nuk është nxitur nga të rinjtë. Sipas studiuesve, personat mbi 60 vjeç kanë kontribuar me 25,4% të rritjes së emetimeve globale të lidhura me ushqimin midis viteve 2000 dhe 2019. Arsyeja nuk lidhet me dieta më ndotëse, por me faktin se kjo grupmoshë po bëhet gjithnjë e më e madhe falë rritjes së jetëgjatësisë, veçanërisht në vendet me të ardhura të larta.
Gjatë periudhës së studiuar, emetimet globale nga ushqimi u rritën me 2,1 gigatonë ekuivalent dioksid karboni, një sasi e krahasueshme me emetimet vjetore të rreth 457 milionë automjeteve me benzinë.
Studimi thekson gjithashtu se në vendet me ekonomi në zhvillim, rritja e konsumit të produkteve shtazore tek të rinjtë shoqërohet me përmirësim të cilësisë ushqyese, pasi këto dieta zëvendësojnë ushqimin e varfër që nuk plotësonte nevojat bazë. Për këtë arsye, ulja e konsumit të mishit nuk mund të jetë e vetmja zgjidhje në këto vende.
Në përgjithësi, studiuesit vërejnë se rritja e emetimeve shpesh shoqërohet edhe me përkeqësim të cilësisë së dietës, për shkak të konsumit më të madh të ushqimeve ultra të përpunuara, duke dëmtuar njëkohësisht shëndetin e njerëzve dhe mjedisin.
Autorët e studimit rekomandojnë politika të ndryshme sipas grupmoshave. Për të rinjtë sugjerohen programe edukimi ushqimor në shkolla, përmirësimi i menusë në mensa dhe promovimi i ushqimeve me vlerë të lartë ushqyese dhe ndikim më të ulët mjedisor.
Ndërsa në vendet me të ardhura të larta, ku popullsia po plaket, fokusi duhet të jetë te promovimi i dietave me emetime të ulëta që plotësojnë nevojat ushqyese të të moshuarve. Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sfida mbetet gjetja e një ekuilibri mes mbrojtjes së mjedisit dhe sigurimit të një ushqyerjeje të shëndetshme. Studimi arrin në përfundimin se nuk ekziston një zgjidhje e vetme që funksionon për të gjitha vendet dhe të gjitha grupmoshat./mxh
