Last Updated on 27/10/2026 by Monika
Më shumë se 140 mijë të rinj janë regjistruar online për të marrë pjesë në protestat e paralajmëruara për të shtunën në 23 qytete të Gjermanisë.
Nisma, e organizuar nga grupi “Gen Z steht auf” (Gjenerata Z ngrihet), synon të tërheqë vëmendjen ndaj problemeve që prekin të rinjtë, nga shkurtimet në arsim dhe shpenzimet sociale, deri te kostoja e jetesës dhe rekrutimi i detyrueshëm ushtarak.
Sipas organizatorëve, tubimet kryesore do të zhvillohen në Berlin, Hamburg, Mynih, Frankfurt dhe Këln, ndërsa protesta të tjera do të organizohen në 18 qytete të tjera të vendit.
Këlni kryeson listën për numrin e pjesëmarrësve të regjistruar paraprakisht, me mbi 12 mijë persona. Pas tij renditet Frankfurti me afro 11 mijë regjistrime, ndërsa Hamburgu dhe Berlini kanë kaluar shifrën e 8 mijë personave secili. Në Mynih, numri i të regjistruarve është rreth 7 mijë.
Protestat pritet të nisin në orën 14:00, sipas orës lokale, nën sloganin “E ardhmja jonë është në duart tona”.
Organizatorët kundërshtojnë shkurtimet në sektorët që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e brezit të ri dhe kërkojnë më shumë investime në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale dhe përballueshmërinë e kostos së jetesës.
Në deklaratën e tyre, përfaqësuesit e nismës theksojnë se të rinjtë nuk dëshirojnë të mbeten jashtë vendimmarrjes për çështjet që përcaktojnë të ardhmen e tyre. Ata e konsiderojnë protestën e 31 tetorit si hapin e parë të një angazhimi më të gjerë qytetar.
Bashkëthemeluesi i grupit, Akram Selo, deklaroi se demonstratat do të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe se organizatorët distancohen nga çdo formë dhune.
Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë nisur përgatitjet për garantimin e sigurisë gjatë tubimeve. Sipas tabloidit “Bild”, i cili citon burime të sigurisë, policia në të gjithë vendin ka përcaktuar vendet ku do të angazhohen efektivët dhe ka planifikuar masa për mbrojtjen e objekteve që konsiderohen veçanërisht të rrezikuara.
Në qytetet e mëdha, sipas raportimit, pritet të jenë në gatishmëri automjete të blinduara dhe topa uji, ndërsa në terren mund të angazhohen disa qindra efektivë policie.
Monitorimi i protestave do të kryhet edhe nga ajri, përmes helikopterëve dhe, nëse do të jetë e nevojshme, dronëve.
Masat e sigurisë parashikojnë gjithashtu kontrollin e zonave të stacioneve hekurudhore, me synimin për të parandaluar përplasjet e mundshme mes grupeve ekstremiste të prirura ndaj dhunës dhe pjesëmarrësve të tjerë në protesta./mxh