Last Updated on 13/09/2026 by Anisa
Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur ditën e djeshme në Mat, ku në fshatin Urakë është qëlluar me armë ndaj një automjetit të parkuar.
Policia bën me dije se është qëlluar në drejtim të të automjetit tip “Audi”, në pronësi të gruas së pronarit të banesës ku ndodhi ngjarja. Pas largimit, rreth 2 kilometra larg nga vendi i ngjarjes, është gjetur e djegur në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, ku brenda saj ishin edhe dy kallashnikov.
Sa i përket makinës së djegur, rezulton e vjedhur në Përrenjas, pasi pronari i saj e kishte denoncuar si të vjedhur që në 30 korrik 2025.
Njoftimi i policisë:
Më datë 12.09.2026, rreth orës 23:10, në fshatin Urakë, Njësia Administrative Rukaj, Bashkia Mat, nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll. (bashkëshortja e shtetasit A. Ll.), i parkuar në oborrin e banesës.
Nga të shtënat janë shkaktuar dëmtime materiale vetëm në automjetin tip “Audi”.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendngjarje dhe, në bashkëpunim me DVP Dibër, ngritën pika kontrolli.
Ndërkohë, në vendngjarje shkoi grupi hetimor.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, rreth 2 kilometra larg nga vendi i ngjarjes, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, kanë konstatuar të djegur një automjet tip “Golf V”. Gjatë këqyrjes së automjetit, në brendësi të tij janë gjetur dy armë zjarri kallashnikov, të djegura pjesërisht, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Golf”, i konstatuar i djegur, ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan më datë 31.07.2025, pasi kishte bërë kallëzim pronari i tij, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, se i kishin vjedhur këtë automjet.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në zonën ku mund të kenë lëvizur autorët e dyshuar dhe po bashkëpunohet me DVP Tiranë, Lezhë e Kukës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve./ad
