Last Updated on 22/05/2026 by Anisa
Nga Anisa Daci
Rikthimi i Saimir Tahirit në hapësirën virtule përmes një ndryshimi të thjeshtë në Facebook ka mjaftuar për të rikthyer një debat që në Shqipëri nuk është mbyllur kurrë plotësisht: historia e një ish-ministri që lëvizi nga maja e pushtetit në qendër të një prej dosjeve më të bujshme politike dhe gjyqësore të dekadës së fundit.
Tahiri ka ndryshuar fotografinë e profilit me një imazh të realizuar në periudhën kur përballej me SPAK dhe drejtësinë, një foto portret ku pas tij shfaqet edhe një kamerë, detaj që ka mjaftuar për të nxitur interpretime të shumta.
Lëvizja, ndonëse në dukje e thjeshtë, është shoqëruar me reagime të menjëhershme në rrjet. Në disa interpretime, prania e kamerës pas tij është lexuar si sinjal për një dalje të re mediatike, ndërsa të tjerë e lidhin me një rikthim të mundshëm në skenën publike pas një periudhe të gjatë tërheqjeje.
Në mënyrë të tërthortë, në rrjet është rikthyer edhe debati i vjetër rreth figurës së tij, mes mbështetësve që e shohin si një nga figurat më aktive të qeverisë së parë “Rama”që u penalizua nga konjukturat politike, ndërsa çështja e tij është konsideruar nga të tjerë si një test i rëndësishëm i sistemit të drejtësisë.
Në thelb, veprimi nuk është politik në formë, por politik në efekt. Në Shqipëri, ku kujtesa publike shpesh ndizet nga simbole të vogla, një foto profili mjafton për të rihapur të gjithë arkivin e një karriere të diskutueshme.
Tahiri, ish-ministër i Brendshëm dhe deputet i PS-së, u përfshi në hetime pas goditjes së një grupi kriminal në Itali në vitin 2017, ku u përmendën lidhje indirekte me rrethin e tij familjar. Më pas, kërkesa për arrestimin e tij u rrëzua nga shumica parlamentare, ndërsa çështja u zhvendos në gjykatë, duke prodhuar një proces të gjatë dhe të debatueshëm publikisht.
Në vitin 2019 ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, por u dënua për shpërdorim detyre. Më vonë, vendimi u konfirmua nga Gjykata e Posaçme, ndërsa në 2023 ai la qelinë për të vuajtur dënimin në kushte shtëpie.
Figura e Tahirit mbetet kështu në një zonë gri të politikës shqiptare: mes narrativës së një reformatori në polici dhe asaj të një politikani të penalizuar nga drejtësia dhe konjukturat e kohës.
Rikthimi i tij në rrjetet sociale nuk shoqërohet me deklarata apo sinjale të drejtpërdrejta politike. Megjithatë, në kontekstin shqiptar, ku politika shpesh riaktivizohet më shumë përmes perceptimit, sesa përmes vendimeve konkrete, edhe një detaj i vetëm si një foto profili mjafton për të rikthyer në vëmendje dhe për të kujtuar se historia e Tahirit, për shumëkënd, nuk është mbyllur ende.

