Në një intervistë të dhënë për “The Athletic”, trajneri Erik Ten Hag ka kritikuar ashpër Cristiano Ronaldo-n, duke deklaruar se sulmuesi zhgënjeu skuadrën e Manchester United.
Tekniku 56-vjeçar, i cili aktualisht drejton skuadrën e Twente në Holandë, ishte në krye të “Djajve të Kuq” nga korriku i vitit 2022 deri në shkarkimin e tij më 28 tetor 2024.
Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëpunoi me yllin portugez për vetëm 4 muaj, nga korriku deri në nëntor 2022, përpara se CR7 të largohej drejt Arabisë Saudite për t’iu bashkuar Al Nassr. Ten Hag pranoi karrierën e jashtëzakonshme të lojtarit, por e cilësoi atë si një karakter të vështirë, duke zbuluar se kishte udhëtuar drejt Portugalisë për të biseduar me të rreth objektivave përpara se të merrte detyrën.
Sipas holandezit, Ronaldo nuk ishte në gjendje të vraponte apo të bënte presing si kur skuadra e kishte topin ashtu edhe kur nuk e kishte, për shkak se nuk e kishte përgatitur veten siç duhet fizikisht. Trajneri zbuloi se shpesh i kërkonte sulmuesit të futej brenda zonës për të shënuar pasi i gjithë ekipi punonte për të, por lojtari nuk ishte në gjendje fizike për ta bërë këtë. Gjithashtu, ai tregoi se Ronaldo i udhëzonte shokët e skuadrës që të ruanin këmbët gjatë seancave stërvitore, një qasje që trajneri e konsideron të gabuar për dikë që nuk ka arritur ende nivelin e duhur të përgatitjes.
“Ai e zhgënjeu ekipin dhe më zhgënjeu edhe mua. Udhëtova për në Portugali për të folur me të për qëllimet e mia përpara se të merrja drejtimin e United. Natyrisht, ai është një nga më të mëdhenjtë në historinë e futbollit. Kisha shumë respekt për të. Por në atë moment, si trajner, më duhej të merrja një vendim racional dhe t’i mbaja lojtarët që vlerësoja në ekip.
I thoja shumë herë: “Të gjithë duan të punojnë për ty, për të të vendosur në pozicionin e duhur, por nëse nuk mund të futesh në zonë, nuk mund të shënosh.”
Ai nuk mundi ta bënte. Ai nuk vraponte kur skuadra kishte topin, ose kur nuk e kishte. Arsyeja ishte se ai nuk e kishte përgatitur veten siç duhet. Çdo skuadër e madhe duhet ta pranojë lojtarin e saj më të mirë, por lojtari më i mirë duhet të punojë për ekipin.
Ai u thoshte shokëve të ekipit: “Kujdesuni për këmbët tuaja në stërvitje”. E kuptoj që kur je në gjendje të shkëlqyer fizike, mund të kursesh energji. Por, para së gjithash, duhet të stërvitesh shumë për të arritur nivelin e duhur të formës fizike”, tha Ten Hag./mxh
