Last Updated on 29/01/2026 by EL
Abuzimi me tenderin “Studim-projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit”, SPAK ka dhënë pretencën për zyrtarë të Ministrisë së Brendshme. Prokurorja Dorina Bejko ka kërkuar dënimin me 9 muaj burg për Denisa Skënderajn, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ulet me 1/3, duke zbritur në 6 muaj burg. Në pretencë, SPAK kërkon pezullimin e dënimit dhe vendosjen e të pandehurës në shërbim prove për 1 vit.
E njëjta pretencë është dhënë edhe për të pandehurat:
Lira Kolari
Lindita Mukaj
Silva Dauti (Kushi)
Grida Isufi
Jonarda Çurku
Julia Hysa (Done)
Elora Kokalari
Aida Shehi
Për gratë, SPAK ka kërkuar që dënimi të mos ekzekutohet me burg edhe në rast shpalljeje fajtore, ndërsa për burrat nuk është kërkuar aplikimi i nenit 59 të Kodit Penal.
Për Blendi Kovin, SPAK ka kërkuar 9 muaj burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 6 muaj. E njëjta pretencë është dhënë edhe për:
Deni Klosi
Ferdinand Tarazhi
Emiljano Mehmeti
Klejdi Meço
Erand Robaçi
Për të gjithë 15 të pandehurit, prokurorja Dorina Bejko ka kërkuar gjithashtu heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Ndërkohë, çështja ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme dhe ish-deputetit të PS, Plarent Ndreca, është ndarë, pasi ai ka kërkuar të gjykohet me procedurë të zakonshme. Në kuadër të kësaj dosjeje, është marrë në pyetje edhe ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Tenderat për supervizimin e 4 komisariateve në Vlorë, Komisariatin nr. 4 në Tiranë, Pogradec dhe Mirditë kapnin vlerën rreth 555 mijë euro. Sipas SPAK, procedurat janë kryer në shkelje të ligjit për të favorizuar një prej kompanive pjesëmarrëse./et
