Last Updated on 02/09/2026 by Anisa
Të dy ishujt ofrojnë diell gjatë gjithë vitit, plazhe të bukura dhe peizazhe vullkanike mahnitëse, por Tenerife dhe Lanzarote kanë karakter krejt të ndryshëm. Nga aventurat në natyrë dhe kultura, te ushqimi, jeta e natës dhe hotelet, ja çfarë duhet të dini për të zgjedhur ishullin që ju përshtatet më shumë.
Nëse po planifikoni një arratisje në Ishujt Kanarie, Tenerife dhe Lanzarote janë ndër emrat më të njohur të arkipelagut. Megjithatë, zgjedhja mes tyre nuk është gjithmonë e lehtë.
Të dy ofrojnë diell, plazhe të bukura dhe peizazhe spektakolare, por përvoja është krejt e ndryshme. Tenerife ndërthur peizazhet vullkanike me resortet e gjalla, zonat e gjelbra dhe një mori aktivitetesh. Lanzarote, nga ana tjetër, njihet për peizazhet e ashpra vullkanike, arkitekturën karakteristike dhe atmosferën më të qetë.
Tenerife – më shumë aktivitete dhe argëtim
Kur mendoni për Ishujt Kanarie, Tenerife ka shumë gjasa të jetë ishulli i parë që ju vjen në mendje. Është më i madhi dhe një nga më të zhvilluarit e arkipelagut, ndaj është shumë i preferuar nga familjet dhe çiftet.
Një nga avantazhet kryesore është argëtimi. Për adhuruesit e aventurës, një vizitë në Siam Park, në Costa Adeje, është pothuajse e detyrueshme. Parku ujor është vlerësuar vazhdimisht ndër më të mirët në botë dhe ofron një numër të madh rrëshqitësesh, pishinash dhe atraksionesh.
Adhuruesit e kafshëve mund të vizitojnë Loro Parque, një tjetër prej atraksioneve më të njohura të ishullit.
Kultura zë gjithashtu një vend të rëndësishëm, veçanërisht në shkurt dhe mars, kur zhvillohet Karnavali i Santa Cruz de Tenerife, një nga karnavalet më të mëdha në botë pas atij të Rio de Zhaneiros.
Për artdashësit, Instituti Óscar Domínguez në Tenerife Espacio de las Artes ia vlen të vizitohet. Aty gjendet një koleksion i rëndësishëm pikturash, vizatimesh dhe veprash surrealiste të artistit të lindur në Tenerife.
Edhe plazhet janë të shumta dhe të ndryshme. Playa Jardín ofron rërë vullkanike, Playa de las Teresitas ka rërë të artë, ndërsa Los Gigantes të mahnit me shkëmbinjtë dramatikë që bien drejt detit.
Megjithëse disa zona të Tenerife-s janë mjaft të frekuentuara, ka edhe vende për ata që kërkojnë qetësi. Në veri të ishullit, më pak të zhvilluar, ndodhet Garachico, me rrugicat me kalldrëm dhe pishinat natyrore të llavës El Caletón.
Një tjetër destinacion është San Cristóbal de La Laguna, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, me histori të pasur dhe ndërtesa shumëngjyrëshe.
Tenerife është gjithashtu një parajsë për ecjet malore. Në qendër të ishullit ngrihet Pico del Teide, maja më e lartë e Spanjës, e rrethuar nga një rrjet shtigjesh spektakolare.
Sa i përket akomodimit, ka alternativa për çdo buxhet, nga hotelet e thjeshta deri te resortet luksoze. Royal Garden Villas Luxury Hotel & Spa në Costa Adeje ka 28 dhoma, secila me pishinë private, ndërsa Gran Meliá Palacio de Isora ka një nga pishinat infinity me ujë të kripur më të mëdha në Evropë, me gjatësi rreth 400 metra.
Tenerife fiton për shumëllojshmëri. Mund të kaloni një javë atje duke bërë çdo ditë diçka krejt të ndryshme. Ishulli është gjithashtu më i aksesueshëm falë dy aeroporteve dhe numrit më të madh të fluturimeve ditore.
Lanzarote- më unik
Nëse Tenerife është zgjedhja për ata që duan shumë aktivitete, Lanzarote është për ata që kërkojnë diçka më të veçantë.
Identiteti i ishullit lidhet ngushtë me artistin, arkitektin dhe vizionarin César Manrique. Ndikimi i tij është i dukshëm kudo: shtëpitë janë kryesisht të bardha dhe ndërtesat e larta janë shumë të rralla, në mënyrë që arkitektura të përshtatet me peizazhin vullkanik dhe jo ta mbizotërojë atë.
Fondacioni César Manrique, i hapur për publikun, ndodhet në shtëpinë e tij të dikurshme, të ndërtuar brenda shkëmbinjve vullkanikë. Dhomat janë krijuar edhe brenda flluskave natyrore të formuara nga llava dhe janë mobiluar me pjesë të stilit të mesit të shekullit XX.
Një tjetër kryevepër është Jameos del Agua, një sistem shpellash i krijuar nga shpërthimi i vullkanit Corona. Brenda tij ndodhet një liqen nëntokësor i formuar nga depërtimi i ujit të detit, ku jeton edhe një specie gaforre e bardhë dhe e verbër, endemike e Lanzarote-s.
Në këtë zonë ndodhet edhe një restorant shumë i veçantë, ku mund të shijoni kuzhinën lokale brenda një tuneli vullkanik.
Por Lanzarote është shumë më tepër se trashëgimia e Manrique-s. Peizazhi duket pothuajse si i një planeti tjetër, me rreth 300 kone vullkanike dhe fusha të gjera me llavë të zezë.
Në La Geria, rrushi kultivohet në tokën vullkanike dhe prodhohet verë në një mënyrë unike për ishullin.
Ndërsa Parku Kombëtar Timanfaya është një nga vendet më të mira për të parë nga afër aktivitetin gjeotermal dhe peizazhin spektakolar vullkanik.
Lanzarote është gjithashtu shumë i preferuar nga çiklistët e rrugës, falë rrjetit të rrugëve me kthesa, ndërsa sërfistët gjejnë shumë zona të qeta përgjatë bregdetit.
Plazhet janë po aq të bukura: nga rëra e artë e Playa Blanca deri te gjiret më të egra të Papagayo.
Edhe hotelet kanë një karakter më butik dhe të orientuar drejt dizajnit. Finca Malvasia, një fermë e restauruar me pishinë dhe vreshta vullkanike përreth, ka shërbyer edhe si ambient për fotografime mode. Hotel Palacio Ico ndodhet në një pallat të shekullit XVII në Teguise dhe ka një restorant të rekomanduar nga Michelin.
Lanzarote fiton për karakterin e veçantë. Tenerife ka më shumë gjëra për të bërë, por Lanzarote ka një identitet më të fortë dhe një pamje që është e vështirë të gjendet diku tjetër në Evropë.
Po ushqimi?
Cilindo ishull të zgjidhni, mos largohuni pa provuar disa nga specialitetet kanariane.
Papas arrugadas janë patate lokale të ziera në ujë të kripur derisa lëkura e tyre rrudhet, ndërsa sancocho canario është një pjatë tradicionale me peshk të kripur, që shoqërohet zakonisht me salcën pikante dhe aromatike mojo.
Tenerife apo Lanzarote?
Zgjidhni Tenerife-n nëse: kërkoni më shumë aktivitete, jetë nate, parqe argëtimi, shëtitje malore, plazhe të ndryshme dhe një zgjedhje më të madhe hotelesh.
Zgjidhni Lanzarote-n nëse: preferoni qetësinë, peizazhet vullkanike, arkitekturën, artin, verën, sërfin dhe një atmosferë më autentike e të veçantë.








